“Ky është me ne, ky s’është i yni”, Shehi: Është momenti të ndërtojmë opozitën e madhe, jo të bëjmë diferencime

schedule21:21 - 6 Shkurt, 2020

schedule 21:21 - 6 Shkurt, 2020

Mënyra e re e komunikimit me qytetarët nga liderët politik shqiptarë ka tërhequr jo pak vëmendje. Gjatë pasdites së sotme kreu i Partisë Demokratike ka nisur një fushatë komunikimi me qytetarët. Për të folur në lidhje me këtë por jo vetëm, i ftuar në “Mbrëmje ABC” përballë gazetares Mirela Milori ishte i ftuar kreu i LZHK Dashamir Shehi.

Pjesë nga biseda në studio:

Mirela Milori: Si e shihni zgjedhjen e Z. Basha për të komunikuar me qytetarët live nga FB?

Dashamir Shehi:Është një metodë e re, është një nga mjetet që i ofron koha, teknologjia, bashkë me ndryshimin e teknologjisë ka ndryshuar edhe opinioni gjithsesi e gjykoj se ka bërë mirë. Është një armë më shumë në komunikimin me njerëzit, aq më tepër një opozitë si e jona që nuk është në parlament.

Mirela Milori: A mendoni se e djathta ka ardhur në një pikë që duhet të merret me substancën, pra që e djathta ka nevojë për një riorganizim të vetvetes, të bëjë disa bilance të saj?

Dashamir Shehi:Po patjetër, jo vetëm që ka ardhur por ky moment ka kaluar. Duhet të ishte një debat që duhej hapur me vite përpara. Ne nuk mund të bëjmë si Edi Rama që tregon vetëm histori suksesi, se çka bërë këto 7 vjet.

Ne duhet të shohim realitetin ku ndodhemi, në 30 vjet të ekzistencës së të djathtës shqiptare. E djathta shqiptare e para 30 vjetëve nuk ka asnjë lidhje me të djathtën aktuale.

Ne duhet të reflektojmë mbi këtë lloj situatë dhe të adaptojmë një të djathtë që është reale. 30 vjet politika shqiptare ka funksionuar sipas zgjedhjeve, votave, dhe nuk është pyetur kurrë është e majtë, apo është e djathtë, mjaftonte kush i sillte votat.

Mendoj që ne sot operojmë në dy rrafshe kryesore, në një opozitë të madhe që është kundër rilindjes dhe Edi ramës dhe e djathta shqiptare në dimensionin e vet natyral, që mund të jetë ndoshta më pak se votat që Partia Demokratike merr por në qoftë se duam të ndërtojmë esencën e një të djathte duhet të merremi me atë çfarë merret e djathta edhe në Evropë.

Mirela Milori: A mendoni se ka ardhur momenti të krijohet në grupin opozitar një koalicion apo një bashkim partish apo një qendër e djathtë?

Dashamir Shehi: Për situatën në të cilën ndodhemi unë maksimalisht do të ndërtoja opozitën më të madhe që është kundër Edi Ramës. Pra të gjithë ata që janë kundër Edi Ramës, grupit të tij dhe kundër këtij regjimi, gjykoj që është aleat potencial i kësaj opozite, i majtë apo i djathtë qoftë. Këta janë njerëzit tanë. Nuk duhet të bëjmë diference, nëse i themi “ky është me ne, ky s’është i yni” do të kemi tkurrje të bllokut opozitar. Kemi nevojë të mbarojmë këtë punë me ata që kemi kundërshtar dhe ti hapim rrugë një shteti të ri  ndryshe./abcnews.al