Rreth 1 milion euro është dëmi që ju ka shkaktuar biznesmenëve, duke i mashtrua me projekte ndërkombëtare ndërtimi. Në pranga të uniformave blu ka përfunduar Violeta Petro, ndërsa në emër të mashtrueses janë bërë 7 kallëzime në policinë e Tiranës.
Kjo është Violeta Petro, e cila u arrestua nga policia e Tiranës, nën akuzën se mashtronte biznesmenët, duke u premtuar projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj.
Në Seksionin për Krimin Ekonomik dhe Financiar në drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, kishin mbërritur disa kallëzime nga pronarë e biznesmenë të ndryshëm se një shtetase, nëpërmjet mashtrimit, kishte përvetësuar fondet e tyre. 64-vjeçarja prezantohej si përfaqësuese e një organizate ndërkombëtare, dhe u premtonte financime në projekte ndërtimi jo vetëm në Tiranë por edhe në zonat bregdetare.
Në emër të 64-vjeçares Vieleta Petro janë bërë të paktën 7 kallëzime nga qershori deri në korrik. Nga hetimi rezultoi se paratë që biznesmenët ia kanë dërguar në rrugë bankare Petros për parapagim janë tërhequr nga e arrestuara dhe për gjetjen e tyre do të kërkohet edhe bashkëpunimi i saj. Ndërkohë dyshohet se dëmi i shkaktuar është rreth 1 milion euro.
Edhe në të kaluarën në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë bërë shumë kallëzime për vepra penale të Mashtrimit. Në 2018 u proceduar 215 autorë, ndërsa shifra nga viti në vit ka ardhur ne rritje.
Sipas prokurorisë së Tiranës, qytetarët që kanë rënë më shumë pre e mashtrimeve kanë qenë ato persona që kishin porositur njësi banimi pranë shoqërive të ndërtimit, duke bërë edhe pagesën e plotë të pronës. Por ka rezultuar nga hetime se apartamentet apo njësitë e shërbimit të cilat ata kanë blerë, janë shitur rishtas nga shoqëritë e ndërtimit të tretëve, e për këtë arsye nuk mund të jenë pronar të këtyre pasurive, duke çuar në prangosjen e shumë prej pronarëve të firmave të ndërtimit./ABC News Albania 24/7