Ballkani i Hapur ishte temë diskutimi në konferencën e përbashkët mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti në Prishtinë.
Kryeministri Kurti u shpreh se me Shqipërinë Kosova ka marrëdhënie vëllazërore dhe nuk ka nevojë për ndërmjetësues. Ndërsa kryeministri Rama mendon se nisma Ballkani i Hapur nuk e bashkon Shqipërinë me Kosovën, por as nuk e ndan. Të dy vendet ndajnë pikëpamje të ndryshme për sa i përket nismë Ballkani i Hapur, pasi Kosova refuzon t’i bashkohet.
Kurti: Duhet të theksojmë që arritëm marrëveshje, protokolle dhe memorandum gjithsej 19 dhe kjo është për tu përshëndetur. Marrëdhëniet tona janë vëllazërore dhe vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues ndërmjet njëri-tjetrit. Çështja është e ngritur, është e një dimensioni tjetër, nuk është mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk kam asnjë gjë të re për të thënë.
Rama: Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon por ama Ballkani i Hapur nuk na ndan, në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, nuk është sekret, por këto këndvështrime të ndryshme nuk na pengojnë që të ecim përpara në marrëdhëniet bilaterale. Tarifat doganore, heqja e të gjitha tarifave doganore për kompanitë, është sot në Ballkanin e Hapur dhe duam ta bëjmë e me Kosovën. Ne do ta bëjmë këtë pa asnjë diskutim, madje për sa i përket tarifave doganore Kosova ka kërkuar pak kohë për studim, dhe ne do ta bëjmë në mënyrë të njëanshme dhe do ta hapim pa tarifa doganore kufirin për bizneset e Kosovës.
Rama u shpreh se kur vjen puna për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovë dhe për Kosovën, jemi një. Kur vjen puna për Ballkanin e Hapur apo Procesin e Berlinit, sipas Ramës, këto janë çështje konceptuale.
Rama: Nëse do binim dakord për çdo gjë me Albinin do tregonte që kishim një problem. Fakti që nuk biem dakord për çdo gjë tregon që jemi në rregull./Abcnews.al/