Nga një vajzë shqiptare që u largua mes sakrificash, netësh të vështira dhe pasigurie, në një nga sopranot më të vlerësuara të skenave ndërkombëtare. Historia e Ermonela Jahos është dëshmi se ëndrrat e mëdha nuk lindin në rehati, por në guxim.
Vetëm pak ditë më parë, sopranoja shqiptare u nderua në Francë me titullin prestigjioz “Chevalier des Arts et des Lettres” (Kalorëse e Artit dhe e Letrave), një nga vlerësimet më të larta që jep shteti francez për personalitetet me kontribut të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë. Një moment që për Jahon ishte jo vetëm emocion, por edhe konfirmim i gjurmës së saj në artin botëror.
“E pranova këtë vlerësim me përulësi, mirënjohje dhe emocion”, rrëfen ajo, ndërsa falënderon Francën që “pranoi zërin dhe zemrën” e saj.
Por rruga drejt suksesit nuk ishte aspak e lehtë.
Ermonela Jaho kujton vitet e para në Itali si një betejë mbijetese. Pa para, pa siguri dhe shpesh pa ushqim, ajo punoi si kujdestare fëmijësh në një familje në prag divorci, vetëm që të mos hiqte dorë nga ëndrra e saj. “S’kisha as lekë, as rroba… ‘ushqehesha’ vetëm me muzikë”, rrëfen sopranoja me ndershmëri prekëse.
Një nga momentet që ndryshoi gjithçka në jetën e saj erdhi papritur: një telefonatë që i kërkonte të zëvendësonte sopranon ruse Anna Netrebko në operën “La Traviata” të Verdit. Ishte një skenë e madhe, me publik kërkues dhe bileta që shkonin deri në 800 paund.
Askush nuk e njihte ende Ermonelën. Madje, ajo kujton se në fillim ndjeu sikur publiku nuk e donte. Por pas aktit të parë, gjithçka ndryshoi. Duartrokitjet, dashuria e publikut dhe titujt e gazetave hapën dyert e një karriere ndërkombëtare.
“Fati ishte me mua atë natë… por unë isha gati për ta pritur fatin”, thotë ajo.
Nga Royal Opera House në Londër, Opéra National de Paris, Teatro alla Scala në Milano e deri te Metropolitan Opera në New York, Ermonela Jaho pushtoi skenat më prestigjioze të botës, duke i dhënë shpirt roleve ikonike si Violeta në “La Traviata”, Madama Butterfly, Mimi në “La Bohème” apo Suor Angelica.
Megjithatë, pas gjithë suksesit, ajo mbetet e lidhur fort me përulësinë dhe disiplinën. Sot, rutina e saj përfshin palestrën, përkujdesjen për veten dhe një besim të palëkundur se njeriu duhet të punojë çdo ditë për t’u bërë më i mirë. Historia e Ermonela Jahos nuk është thjesht historia e një sopranoje të madhe. Është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kur jeta i mbylli dyert. E një artisteje që nga mungesa krijoi forcë, nga dhimbja ndërtoi art dhe nga sakrifica shkroi suksesin./abcnews.al


