Kur politika hyn mes studentëve

schedule15:27 - 15 Dhjetor, 2018

schedule 15:27 - 15 Dhjetor, 2018

Protesta e studentëve që nuk pranojnë të dialogojnë me Kryeministrin për 8 kërkesat që kanë shpallur, dominoi ngjarjet e javës politike që lamë pas. Mimoza Koçiu na sjell presionin e dukshëm e të padukshëm ndaj studentëve protestues, në funksion të llogarive politike.

E kaluan 10 ditëshin e parë në rrugë, e tashmë i ka poshtë zyrës së tij. Për dy ditë protestuan të ndarë, por prej të enjtes së javës politike që lamë pas, u bashkuan para kuvendit, e më pas para Kryeministrisë. Si kurrë më parë, nuk ka patur një mungesë kaq të theksuar publike mosbesimi mes një kryeministri e protestuesve. Thirrjet e Edi Ramës për dialog në këmbim të përmbushjes së 8 kërkesave të tyre, përsëriten çdo ditë, e disa herë në ditë, e çuditërisht studentët i refuzojnë. Tendencat për t’i orientuar majtas a djathtas nuk janë më aq të padukshme, por misioni duket i vështirë, pasi nuk kanë një përfaqësi. Megjithatë Kryeministri po merr gjithë kohën për t’u fokusuar tek ata, pasi ia ka dalë ta kompleksojë opozitën me akuzat se po ndikon studentët që të mos dialogojnë me të. Ndërkohë po e kalon pa kokëcarje e pa zhurmë skandalin e firmës fantazëm, që mori nga qeveria rreth 30 milionë euro për dy tendera.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Kryeministri e nisi njëanshëm komunikimin me studentët, që të hënën, me atë që e quajti dialog për Universitetin. Për 1orë e 43 minuta iu drejtua studentëve përmes FB, duke iu përgjigjur pyetjeve që i dërgoheshin në profilin e tij. Monologu i gjatë i zbuloi ndjesitë për ta: herë i duken të pabindur, e herë si rivalët e tij politikë.

E nesërmja, dita e shtatë e protestës, por edhe e rifillimit të shkollave pas ditëve të pushimit, i gjeti më të shumtë në numër para Ministrisë së Arsimit, pasi kishin përcaktuar orën 16, si afat për përmbushjen e kërkesave të tyre. Në fakt prej të martës, protestat e studentëve vijuan edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan, e një pjesë e tyre iu bashkuan studentëve në Tiranë. Në pritje Kryeministri u përsëriste ftesat për të vendosur një urë komunikimi me qeverinë, duke u sugjeruar si vendtakim sallën e parlamentit.

Por pas orës 16:00, skadimit të afatit, çka spikati mes studentëve ishte vetëm ndarja në qëndrim, se ku duhet të protestonin, para ministrisë apo km. Shefi i qeverisë ua lexoi si përcarje, e nxitur nga presioni i opozitës, e u përsëriti ftesën për dialog.

Duhet thënë se me akuzat që i bën PD e LSI, ia ka dalë t’i kompleksojë 2 partitë opozitare, të cilat janë tkurrur në komunikimin publik. Lulzim Basha i mbështet kujdesshëm.

Vetë Rama tha se Freshistët e tij nuk ia kishin dalë të ndikonin protestën. E megjithatë jo pak prej tyre, i kishte  përballë të martën në mbrëmje në Top Channel.

Po na akuzojnë si fresshistë, unë po jam koordinator”.

I prekur, si çdo i ri i moshës së tij ndaj komenteve në rrjetet sociale, padashur kishte zbuluar një realitet tjetër në atë dialog TV. Me nuhatjen e eksperiencën e gjatë, Km mori situatën në dorë, për të sfumuar deklaratën e të riut të Fressh, e mbyllur temën e hapur padashje, se sa Fresshistë kishte përballë në atë studio

Por shija e atij komunikimi vijoi në rrjetet sociale, ndërsa vetë Kryeministri, pas vendimit për anullimin e tarifave për provimet e mbartura, dëshmoi edhe njëherë fuqinë e tij, pavarësisht autonomisë universitare.

Për dy ditë studentët protestuan të ndarë, një pjesë tek Ministria e Arsimit e tjetra tek Kryeministria.

Vazhdon t’u bëjë disa ftesa në ditë, virtualisht për dialog, duke u konfirmuar cdo herë se i pranon 8 kërkesat e tyre. Por si përgjigje, dy grupet e studentëve u bashkuan të enjten e seancës plenare para parlamentit. Të shumtë në numër këmbëngulën se nuk do ketë dialog, pa u plotësuar më parë kërkesat e tyre.

Brenda u përball me dy kërkesa të ndara, nga 8 deputetë të opozitës. LSI paraqiti dy amendime shtesë në buxhetin për arsimin e lartë, në funksion të kërkesave të studenteve për ulje tarifash e rritje të buxhetit për arsimin. Ndërsa PD kërkoi abrogimin e ligjit të arsimit të lartë. Asnjëra nuk u pranua dhe Edi Rama ua bëri leximin e tij të protestës së studentëve.

Pas largimit të tyre e rimori prapë fjalën, tashmë me audiencën e bindur të të vetëve.

Por para të vetëve bëri edhe pohimin e fortë, duke zbuluar merakun politik. Studentët që protestojnë janë kontigjent votuesish, bashkë me prindërit e tyre, e tashmë Kryeministri bën llogaritë për vendoret e 30 qershorit, e këtë ia kujton publikisht opozitës.

Dushëm studentët i do në krah. Ua kishte thënë edhe 3 ditë më herët.

Për t’i bindur studentët, ka intensifikuar në mënyrë të pabesueshme mesazhet vituale në rrjetet sociale, më të aksesueshme prej të tyre. Në instagram hedh papushim foto me mesazhe atipike për një kryeministër të cilat shndërrohen shpejt në meme, që zbavisin përdoruesit e rrjeteve sociale, përfshi vetë Kryeministrin.

Sikleti disa ditor i Kryeministrit, që i refuzohen ftesat, lexohet me thirrjen për të patur këdo prej tyre, madje edhe pa një mandat përfaqësimi nga studentët protestues.

Por ende asnjë grup nuk po i përgjigjet, ndërsa prej të enjtes pasdite janë bashkuar në protestë para dritareve të zyrës së tij.

Një aleat të dukshëm studentët kanë mediat. Përveçse i ndjekin në kohë reale në protestën e kërkesat e tyre, çdo studio televizive u hap për ta gjatë javës politike që lamë pas. Rekord shënoi Blendi Fevziu që u ofroi studion e “Opinion”, për tre mbrëmje rradhazi, duke i dhënë një vizibilitet maksimal kauzës së tyre. Të enjten në mbrëmje aty ishte i vetëm Kryeministri, me ftesën për studentët, pa e fshehur kënaqësinë se ata nuk kishin kërkuar largimin e tij.

Duket se ka përgatitur zgjidhjet për ta, sepse i paraqet pjesërisht në studiot tv. A do gjenden vallë studentët, nëse pranojnë të ulen me të, në pozicionin e spektatorit, që do dëgjojnë e konfirmojnë çfarë Kryeministri ka përgatitur për ta?

Nëse Kryeministri po merr kohë për të bindur studentët që të ulen me të, spikat heshtja e Lulzim Bashës, për një siklet tjetër të qeverisë, pasi VOA konfirmoi hetimet e nisura në SHBA për firmën fantazëm Dunwell Haberman, e cila me përfaqësues 26 vjeçarin Avdjol Dobi, kishte përfituar dy kontrata nga qeveria shqiptare me vlerë afro 30 milionë euro, nga ARRSH dhe OST.

Duke konfirmuar mashtrimin nga firma fantazëm, Ministri i Infrastrukturës e Energjisë, u shpreh i gatshëm për t’u hetuar.

ARRSH edhe OST rihapën tenderat për kontratat që kishte fituar kompania fantazëm, e cila po hetohet tashmë në SHBA e në Shqipëri. Heshtjen e opozitës e theu Kryeministri, duke folur 7 ditë pas publikimit të skandalit.

Opozita duket se humbi mundësinë që ta merrte nga Komisioni i Venecias, miratimin për kauzën e saj kryesore, Vetingun në politikë. Në opinionin e miratuar të premten, Komisioni nënvizon rreziqet e keqpërdorimit të këtij procesi dhe fton palët të dakordësohen për modalitetet në kuvend. Natyrisht leximi i Ramës e Bashës ishte i ndryshëm, dhe nuk mungoi edhe përplasja virtuale mes tyre. Duhet thënë se vetë Basha ka shkëlqyer me mungesën e tij publike javën politike që lamë pas, edhe pranë banorëve të zonës së unazës së re, ndërsa protestat e përditshme në Shkodër, Kavajë e zona të tjera, për cmimin e karburantit e taksat, dukshëm kanë mbështetjen e partisë së tij.

Në Tiranë, studentët protestues u japin herë pas here prova para mediave, se nuk u interesojnë partitë politike. Duket e pamundur të orientosh një protestë pa përfaqësi. Të enjten e javës politike që lamë pas, Kryeministri zgjodhi t’u bënte një gjyq publik drejtuesve të universiteteve, që i mblodhi me urgjencë në mjediset e Ministrisë së Arsimit. Foli vetëm vetë, e në 45 minuta u përmendi publikisht disa raste abuzimi me fondet dhe u të mos u fshohen përgjegjësive për situatën e studentëve.

Të nesërmen rektori i UT Mynyr Koni dhe Kryeminsitri u përplasën virtualisht. Rektori zgjodhi të hidhte poshtë akuzat e Kryeministrit, duke i konsideruar presion e shantazh, jo në një dale publike, por përmes faqes FB të UT. Sipas tij në UT nuk ka patur asnjë bllokim, siç mundohet ta paraqesë Km, për të justifikuar e shtrembëruar arsyet e vërteta të protestës së studentëve. Ai madje thotë se pengimi normal i punës ka ardhur nga administratori i UT, një aktivist në fushatat e partisë së Kryeministrit.

Përgjigja e Kryeministrit nuk vonoi në Tëitter, therëse e fyese. Përmes eufemizmave të fortë, Rama shkruan se e mëshiron pafytyrësinë e rektorit dhe e fton të gjejë kurajon t’ia thotë gjërat në sy, shumë shpejt kur KM të shkojë nëpër auditoret universitare.

Senati akademik i UT kishte denoncuar me herët se shfuqizimi nga qeveria i nenit të VKM për heqjen e tarifave për provimet e mbartura, ishte bërë pa një kërkesë nga senati, siç e parashikon ligji. Madje Senati kishte vendosur të mbështeste kërkesat e studentëve për ulje tarifash, e kish nisur përllogaritjen e efekteve financiare për atë ulje. Në të njëjtën linjë u deklaruan publikisht këto ditë edhe senatet akademike të disa universiteteve të tjera. A është vallë kjo një përpjekje për ta zgjidhur situatën nga brenda universiteteve? Koha do e tregojë. Në pritje, e premtja pati disa zhvillime të pazakonta, që reflektonin presion për orientimin e studentëve. Numri i tyre në shesh ishte reduktuar ndjeshëm, e pas ftesës së radhës së Kryeministrit.për dialog, vëmendja e gazetarëve që ndiqnin protestën e studentëve para Kryeministrit. u tërhoq, për një njoftim të rëndësishëm. Një student i fakultetit juridik i kërkoi Kryeministrit. një seancë urgjente parlamentare, për kërkesat e tyre.

Për studentë të pranishëm, thirrja ishte e pakonsultuar me ta.

E megjithatë ai apel i vetmuar verbal e mori një përgjigje pozitive, jo nga Kryeministri, por nga nr. 2 i PS, që konfirmoi gatishmërinë që parlamenti të mblidhej të nesërmen me Kryeministrin e studentët.

Por të paktën ata studentë që qëndrojnë para Kryeministrit, paralajmëruan vetëm vijimin e protestës. /abcnews.al