Kanë mbaruar 6 ndeshjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë të cilat startuan në orën 13:00 dhe janë mësuar ekipet të cilat do të vazhdojnë rrugëtimin në këtë turne.
Kukësi ka marrë një fitore tepër të thellë në shtëpi përballë Apolonisë së Fierit me rezultatin 5-0, duke kaluar kështu në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë. Një ndeshje e dominuar totalisht nga verilindorët të cilët nuk e diskutuan në asnjë moment të sfidës fitoren. I pari që shënoi ishte Peposhi në minutën e 18-të, ku me rezultatin 1-0 çon ekipet në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë nuk pati surpriza, pasi vendasit shënuan edhe golin e dytë në minutën e 49-të me anë të Barbosës. Në minutën e 65-të ishte Domi i cili trefishoi shifrat për Kukësin. Apolonia e kishte të pamundur të reagonte, pasi të zotët e shtëpisë shënuan golin e katërt në minutën e 68-të me Berishën dhe golin e pestë në minutën e 82-të me anë të Domit përsëri.
Fitore minimale për Tiranën e cila mposhto me rezultatin 1-0 Lushnjën. Kryeqytetasit kishin fituar ndeshjen e parë me rezultatin 3-0 dhe këtë sfidë e luajtën sa për statistika. Golin e vetëm e shënoi Lushkja në minutën e 58-të.
Partizani gjithashtu siguroi një fitore me rezultatin 3-0 përballë Korabit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0, ku autorat e golave ishin Sota dhe Da Silva. Në pjesën e dytë ishte Hoti me një supergol i cili çoi shifrat në 3-0.
Edhe Laçi siguroi një biletë për në fazën tjetër pasi mposhti 2-1 Tomorin. Autorët e golave ishin Biba dhe Myrta, të cilët shënuan në pjesën e dytë. Miqtë shënuan golin e vetëm pranë përfundimit të sfidës me anë të Lamçes.
Egnatia dhe Skënderbeu u ndanë në barazim me rezultatin 1-1. Pjesa e parë ishte në favor të korçarëve, me një autogol të Agbekpornu. Në pjesën e dytë ishte Ferndando Medeiros i cili barazoi shifrat, por rrogozhinasit arrijnë të kualifikohen pas rezultatit 1-0 që morën ndeshjen e parë.
Sfida mes Kastriotit dhe Dinamos u mbyll me rezultatin 0-0, por ata që kalojnë në fazën tjetër janë krutanët pasi kanë fituar sfidën e parë me rezultatin 3-1./ h.ll/abcnews.al
Të gjitha rezultatet e sfidave të sotme:
Kukësi 5-0 Apolonia ( kualifikohet Kukësi)
Tirana 1-0 Lushnja ( kualifikohet Tirana)
Partizani 3-0 Korabi ( kualifikohet Partizani)
Laçi 2-1 Tomori ( kualifikohet Laçi)
Egnatia 1-1 Skënderbeu ( kualifikohet Egnatia)
Kastrioti 0-0 Dinamo ( kualifikohet Kastrioti)