Kukësi ishte krejtësisht i pafat në përballjen ndaj Kamzës në Superligë. Rezultati në stadiumin “Zeqir Ymeri” bën që kampionët të rrezikojnë kualifikimin për në Europë.
Një humbje që djeg, por që nuk të turpëron.
E tillë ishte disfata e Kukësit në javën e 18-të të Superligës, kur doli pa asnjë pikë nga stadiumi I vet, “Zeqir Ymeri” përballë Kamzës.
Në një sfidë për Europën, kampionët e Shqipërisë në fuqi bënë gjithçka dhe merituan që të fitonin, por futbolli ka edhe një element vendimtar, fatin.
Ishte pikërisht fati që ishte plotësisht kundër të besuarve të trajnerit Peter Pakult që bënë lojën, por pikët i mori Kamza e trajnerit Ramadan Ndreu.
Rezultat 0-1 i hoqi mundësinë Kukësit që të kalonte Flamurtarin me golaverazh për të dalë në vend të dytë, ndërsa në të kundërt, ishte Kamza që e mbërriti, duke e bërë luftën për Europën edhe më të fortë.
Futbollistët vendas sikur ishin në garë me njëri-tjetrin për të humbur raste.
Elis Bakaj, Valon Ethemi, Donjet Shkodra apo braziliani Kale patën mundësi të mira, arritën edhe të godisnin shtyllën, por nuk mundën të shënonin asnjë gol.
Pas barazimit në shtëpi me Flamurtarin, ky ishte rezultati i dytë jo bindës për trajnerin Pakult në vetëm pak ditë.
Për titullin as që mund të bëhet fjalë, por tani rrezikohet edhe kualifikimi për në Ligën e Europës.
Nuk mund të thuhet se presidenti Gjici do të nervozohet dhe do të mendojë që ta shkarkojë, por duke ditur sesa pak durim kanë te Kukësi me trajnerët, austriaku duhet të kthehet tek fitoret që të mos rrezikojë postin.
Pas 18 javësh, Kukësi ka 29 pikë, po aq sa Kamza, duke qenë 3 pikë prapa Flamurtarit, dhe 14 pikë larg Skënderbeut kryesues./abcnews.al