Kukësi del nga harta Covid, u shëruan të gjithë

schedule15:07 - 7 Maj, 2020

schedule 15:07 - 7 Maj, 2020

Kukësi del nga harta e kuqe e Covid 19.

18 rastet aktive që prej 13 prillit tashmë janë shëruar plotësisht, por situata do të vijojë të monitorohet nga njësia vendore e shëndetësisë, sipas së cilës nuk do të ulë vigjilencën.

Shefja e epidemiologjisë Denisa Duraku tha se do të ndiqet hap pas hapi protokolli i pandemisë në gjurmimin e rasteve dhe kontakteve të mëparshme për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Rasti i parë në Kukës u shfaq në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit e duke krijuar me pas zinxhirin e infektimeve me kolegët e tjerë dhe familjarët.

Pjesë e këtij zinxhiri u bë edhe policia e shtetit në Kukës me 6 punonjës të saj, e të cilët fatmirësisht u shëruan.

Rasti i fundit i importuar nga Kosova, por që u identifikua në njërin prej hoteleve të kthyer në karantinë, u izolua dhe u transportua në Tiranë.

Sipas znj. Duraku, tashmë personeli mjekësor dhe ai i policisë janë të gatshme për t’iu kthyer punës pasi rezultatet e të gjitha mostrave është e konfirmuar negative.

“Të gjitha rastet që kanë qenë të konfirmuar me Covid në qytetin e Kukësit, nga data 13 prill kur kemi patur rastin e parë janë tashmë të shëruar. Ne nuk kemi asnjë rast aktiv me Covid, dhe deri në momentin që flasim nuk kemi asnjë rast të dyshuar për koronavirus. E kemi kaluar mirë situatën por kjo nuk do  të thotë që të ulim vigjilencën.

Jemi në komunikim të herëpashershëm me të gjithë. Rastet e reja të gjithë referimet që marrim vazhdojnë të jenë nga urgjenca kombëtare 127, mjekët e familjes gjithashtu edhe nga qytetarët që na kontaktojnë në ambientet e punës dhe përmes numrave tanë të telefonit.

Deri para 1 jave ka pasur fluks telefonatash dhe kemi parë përkufizimin e rastit, i kemi sqaruar, dhe në momentin që kanë qenë të dyshuar për Covid, janë marrë mostrat dhe janë nisur në Shëndetin Publik, por që nuk kemi patur raste të reja.

Personeli mjekësor deri më sot, me sa di unë, nuk është rikthyer, pavarësisht se kanë përmbushur afatin e karantinës. Ata janë shprehur të gatshëm për tu rikthyer në punë. Qytetarët të vazhdojnë të tregojnë kujdes, të vazhdojnë të jenë vigjilentë. Të tregojnë kujdes sidomos për moshën më të rrezikuar“, sqaroi Duraku./abcnews.al.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!