Edhe kjo fundjavë ka nisur me fluks të lartë mjetesh në Morinë. Policia kufitare që në orët e para ka aplikuar procedurën e thjeshtëzuar për të shmangur radhët dhe qëndrimet në doganë. Por, në fundjavë problem mbeten mjetet e transportit të mallrave. Ata që nuk arrijnë të kalojnë kufirin deri në orën 16.00 të pasdites së të premtes u duhet të qëndrojnë në kufi, duke krijuar radhë kilometrike.
Dogana e Kosovës nuk punon në fundjavë dhe ky është problemi më shqetësues për drejtuesit e këtyre mjeteve dhe biznesmenët, të cilave u shtohet jo pak kostoja e shpenzimeve për ditë qëndrimi dhe mungesën e qarkullimit të mallrave.
Unifikimi i sistemit doganor mbetet ende një tentative për t’u aplikuar nga qeveritë e dy vendeve, gjë e cila pritej të përfundonte brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Por, mesa duket precedentë të tillë do vijojnë deri në fund të këtij viti si pikë e parealizuar e marrëveshjes ndërqeveritare ashtu sikundër nuk u realizua edhe heqja e tarifave roaming./ABC News Albania 24/7