Kryqëzohet Jovic, Vucic: Milionat  e tij s’kanë vlerë, do arrestohet direkt

schedule10:35 - 21 Mars, 2020

schedule 10:35 - 21 Mars, 2020

Luka Jovic ka përfunduar në shënjestër. Në Serbi janë tërbuar nga fakti që sulmuesi, pasi fluturoi nga Madridi në Beograd, e shkeli urdhrin për të qëndruar 14 ditë në shtëpi. Spanja është prekur ndjeshëm nga Coronavirusi, madje lojtarët e Realit ishin në karantinë, për shkak se një lojtar i ekipit të basketbollit kishte dalë pozitiv me COVID-19.

Jovic, në Beograd shkoi dhe festoi ditëlindjen e të dashurës dhe ka marrë kritika të forta, duke nisur nga kryeministrja e vendi, Ana Brnabic, e cila ka deklaruar: “Për fat të keq ne kemi shembuj negativë të vendosur nga yjet tanë të futbollit. Ata fitojnë milionë dhe injorojnë urdhrin e detyrueshëm të izolimit kur kthehen në shtëpi”.

Kritika edhe nga ana e presidentit, Aleksandar Vucic. Madje ai edhe e paralajmëron sulmuesin e Realit: “Nëse ai largohet nga apartamenti, do të arrestohet. Mendoj se atij i vjen keq për atë që ka bërë, por unë dua t’ia bëj të qartë se jeta e qytetarëve tanë është më e rëndësishme se milionat e tij”.

Një koment në lidhje me gjithë këtë situatë të krijuar e ka dhënë edhe vetë sulmuesi, i cili ua kalon topin autoriteteve: “Më vjen keq që njerëzit nuk e kanë bërë punën e tyre, për të më dhënë mua udhëzimet e duhura si të veproj në periudhën e izolimit”. /abcnews.al