Kryqëzimi i Cërrikut, vendi i “ferrit” për trafikun

schedule15:44 - 21 Tetor, 2019

schedule 15:44 - 21 Tetor, 2019

Një pikë ku krijohen vazhdimisht radhë të gjata automjetesh dhe shkaktohen aksidente me pasoja është kryqezimi i Cerrikut. Aty nuk funksionojnë semaforët dhe policët e qarkullimit nuk përballojnë fluksin duke ua lënë situatën në dorë shoferëve.

Vendi që konsiderohet  si “ferr” për trafikun në Elbasan është kryqëzimi i Cërrikut. Çdo ditë aty krijohen radhë të gjata automjetesh. Kryqëzimi i Cërrikut ndodhet në unazën jugore të Elbasanit.

Aty ndërthuret trafiku i të gjitha automjeteve që lëvizin në aksin kombëtar Lindje-Perëndim nga njëra anë dhe automjetet që lëvizin nga disa qytete të Shqipërisë Qendrore në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas nga ana tjetër.

Ngjitur me kryqëzimin kalon edhe hekurudha. Pa llogaritur këmbësorët. Semafori që ndodhet ketu nuk funksionon. Policët rrugorë e kanë të pamundur të menaxhojnë situatën.

Nuk mungojnë përplasjet mes automjeteve, aksidentet me pasoja dhe grindjet mes qytetarëve. Vetë drejtuesit e automjeteve shprehen se i zë makthi kur mendojnë se do të kalojnë aty.

Prej vitesh është kerkuar ndërtimi i një mbikalimi apo nënkalimi në këtë vend, po ashtu edhe nje sistem modern semaforesh. Por edhe pse janë ngritur këto shqetësime, kaosi vazhdon./abcnews.al