Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë ndërkombëtare Ernest & Yang për të bashkëpunuar në terren kundër krimit financiar dhe korrupsionit. Kryeministri Edi Rama u shpreh optimist se së shpejti do të bëjë publike rezultate konkrete.
Pastrimi i parave, krimi dhe korrupsioni në Shqipëri është një histori e shumëdëgjuar për veshët e shqiptarëve dhe i konkretizuar në përditshmërinë e tyre. Këtë herë qeveria shqiptare ia ka besuar amerikanëve dhe gjermanëve goditjen e krimit financiar në vend.
Edi Rama: “Më vjen shumë mirëqë në Shqipëri, ne kemi bërë bashkë, si pak herë dhe rrallëkund, amerikanët dhe gjermanët, që është një shenjë e mirë dhe me siguri do të jetë një model i vlefshëm edhe për të tjerët që ta konsiderojnë”.
Kreu i qeverisë pasi renditi sukseset e ministrit Fatmir Xhafaj me operacionin “Forca e Ligjit”, nuk mohoi as realitetin në të cilin ndodhet vendi ynë ndaj fenomenit të parave të pista.
Edi Rama: “Një fushë ku është bërë shumë, por ku nevoja është për të bërë shumë më tepër, sepse e vërteta është që në këtë drejtim ka ende shumë para, të cilat i takojnë njerëzve, të cilat i takojnë vendit dhe të cilat janë aty ku nuk duhet të jenë. Janë ose në duart e krimit, ose në duart e atyre, të cilët nuk janë mjaftuar me fitimet e ligjshme, por kanë fshehur edhe të ardhura që ligjërisht i takojnë shtetit dhe i takojnë shoqërisë”.
Dy ministrat që nënshkruajnë marrëveshjen thonë se puna e tyre bëhet më e lehtë pas këtij bashkëpunimi.
Fatmir Xhafaj: “Operacioni “Forca e Ligjit” na ka dhënë një mësim të rëndësishëm. Sado e fortë të jetë një agjenci. Sado burime njerëzore të ketë një agjenci, nëse nuk kemi një koordinim të mirë midis të gjithë agjencive që operojnë në këtë fushë nuk mund të arrijmë suksesin e duhur”.
Arben Ahmetaj: “Goditja e aspektit ekonomik të krimit është e rëndësishme jo vetëm për aspektin e rendit dhe qetësisë publike, por edhe për shmangien e deformimin e tregut dhe pasojave që sjell për sipërmarrjen e ndershme në vend”.
Skuadra gjermano-amerikane, me dy emra të njohur, njëri si një ndër drejtuesit e FBI-së dhe i dyti me një eksperiencë, në strukturat e shtetit gjerman kundër krimit ekonomik pritet të japë rezultate konkrete pas marrëveshjes së nënshkruar midis Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me Ernst & Young. /abcnews.al