Një pilot i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, një instruktor aviacioni dhe një aktor që synon të ndërtojë karrierën e tij në Hollywood. Gjergj Krasniqi po ndjek një rrugëtim të pazakontë, ku disiplina e aviacionit takohet me pasionin për artin e aktrimit.
Prej dhjetë vitesh jeton në SHBA, ku përveç angazhimit në aviacion, po përpiqet të bëjë realitet një tjetër ëndërr: të bëhet pjesë e botës së madhe të kinemasë.Momenti që i dha një shtysë të veçantë këtij rrugëtimi ishte takimi me legjendën e Hollywood-it, Al Pacino.
Në fillim të këtij viti, Gjergji kishte marrë pjesë në audicionin për “The Actors Studio”, institucionin prestigjioz të aktrimit ku Pacino mban postin e presidentit. Performanca e tij i kishte dhënë inkurajimin për të provuar sërish vitin e ardhshëm, por takimi me aktorin e madh do t’i rezervonte një surprizë të veçantë.
Gjergji i kërkoi Pacinos një këshillë për pjesën teatrale që duhej të zgjidhte për audicionin e radhës. Në vend të një përgjigjeje të zakonshme, ylli i kinemasë u angazhua për ta lidhur me një aktor shqiptar, mikun e tij, që mund ta ndihmonte në këtë rrugëtim.
Një gjest që për Gjergjin kishte shumë më tepër vlerë se një kompliment: ishte një nxitje për të mos hequr dorë nga ëndrra. Ndërkohë, aviacioni mbetet një pjesë thelbësore e jetës së tij.
Ai shërben si rezervist në Gardën Kombëtare Ajrore të Kalifornisë dhe ka krijuar një akademi në Kosovë, përmes së cilës synon të ofrojë edhe trajnim teorik online në fushën e aviacionit.
Në aktrim ka provuar veten në disa filma me metrazh të shkurtër dhe vijon të marrë pjesë në audicione të ndryshme. Gjergj Krasniqi është gjithashtu pjesë e komunitetit profesional të aktorëve në SHBA, ndërsa synon të ngjisë shkallët e karrierës në një industri ku konkurrenca është e fortë.
Historia e tij është dëshmi e një rrugëtimi me dy pasione, shumë përkushtim dhe guximin për të nisur nga e para. Sepse ndonjëherë, një takim i vetëm dhe një fjalë inkurajuese mund të të japin forcën për të vazhduar të ndjekësh ëndrrën tënde./abcnews.al


