KQZ refuzon komisionerët e PD-së dhe LSI-së për zgjedhjet e 30 Qershorit

schedule12:46 - 23 Maj, 2019

schedule 12:46 - 23 Maj, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të pasur komisioner në zgjedhjet e 30 Qershorit. Mazhoranca në KQZ kundërshtoi me argumentin se partitë nuk janë subjekte zgjedhore, ndërsa opozita e mbështet kërkesën në ligj.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të kenë komisionerë në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në vendoret e 30 Qershorit.

Me katër  vota kundër  dhe një pro Komisioni Qendror i Zgjedhjes ka rrëzuar kërkesën e opozitës jo parlamentare. Anëtarët socialiste në KQZ kanë argumentuar votën kundër me arsyetimin se PD dhe LSI i kanë bojkotuar këto zgjedhje.

“Nëse nuk je i regjistruar në zgjedhje nuk mund të kesh pjesë në administrimin dhe në menaxhimin e zgjedhjeve. Nuk mund të çosh komisionerë në strukturat e nivelit të dytë dhe të tretë. Është shumë e qartë. Nuk e di pse u bë ky provokim”, tha nënkrytari Bibaj.

Ndërsa kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, thotë se kërkesa e PD-së dhe LSI-se vjen brenda kornizës ligjore.

“Neni 29, pika 5, paragrafi 2 thotë “anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike”. Sipas këtij neni zëvendësismet duhet të kryhen jo më shumë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Pse qenka provokim ma thoni? Këta zotërinjt që kanë sjellë listën a janë parti politike”, tha Zguri.

Para se KQZ të vendoste, përfaqesuesi ligjor i Partisë Demokratike paralajmëroi anëtarët se nëse nuk udhëhiqen nga ligji do të përballen me forcën e tij.

“Procesi zgjedhor i ofrohet këtij vendi është një proces i mbushur me paligjshmëri, të cilat shkojnë që nga shkelja e afatit deri në tentativat e emërimit të një opozite fasadë me qëllimin që të zëvendësohet opozita e vëretetë. Gjej rastin të paralajmëroj anëtarët e KQZ se në qoftë se vendimmarrja e tyre nuk udhëhiqet nga ligji do ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale”, tha Kaso.

Me mbyllje të mbledhjes, Kaso u shpreh se KQZ vendosi me urdhër politik.

“KQZ në mënyrë të paprecedentë në mnëyrë antiligjore dhe me urdhër të drejtpërdrejtë të eksponentëve të PS-së, Damian Gjiknuri dhe Taulant Balla iu nënshtruan presionit joligjor dhe i mohuan opozitës së bashkuar të drejtën e saj për të paraqitur komisionerë në KZAZ. Është një e drejtë që opozitës i buron nga fryma e Kushtetutës, nga Kodi Zgjedhor”, tha Kaso.

Partia Demokratike sipas Kasos do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për ta kundërshtuar vendimin e KQZ-së./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!