KQZ: Më 30 Qershor votuan 22.97% e qytetarëve

schedule12:33 - 3 Korrik, 2019

schedule 12:33 - 3 Korrik, 2019

Numri i votave të së dielës ka përfunduar në mbarë vendin. KQZ raportoi se pjesëmarrja ka qenë 22.9 %, ndërsa PD replikoi se votuan vetëm 15 % e zgjedhësve, teksa akuzon qeverinë dhe KQZ-në për mbushje fiktive të kutive. 

Për herë të parë në një palë zgjedhje në Shqipëri, numërimi mbyllet brenda 48 orësh. Pjesëmarrja e ulët, numri i vogël i partive dhe komisionerët vetëm të së njëjtës palë, kanë përshpejtuar procesin.

“Kanë marrë pjesë në votime 812.249 zgjedhës, ose 22.97 % e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve”, tha zëdhënësja e KQZ-së.

Kjo shifër është më e lartë se të dhënat që KQZ publikoi mbrëmjen e së dielës, kur raportoi pjesëmarrje 21.6 %, referuar të dhënave të saj paraprake.

Të dhënat e sotme janë mashtrim. Komisionerët socialistë, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të vjedhjeve kanë rritur pjesëmarrjen me 8 përqind, që do të thotë se kanë mbushur kutitë, duke shtuar rreth 280 mijë vota në të gjithë vendin. Ata nuk kanë ruajtur dot as shifrën zyrtare të dhënë nga vetë Komisioni natën e 30 Qershorit”, tha Ivi Kaso.

Edhe në daljen e të mërkurës, KQZ thekson se këto të dhëna janë paraprake.

“Duke marrë shkas nga ambiguiteti dhe disa keqinterpretime që janë vërejtur këto ditë lidhur me shifrat paraprake që KQZ me të drejtë vlerësoi të publikonte për të informuar publikun e interesuar, theksojmë se rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore në rrugë administrative pranë KQZ apo ankimimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor”, tha zëdhënësja.

KQZ raportoi edhe numrin e votave të pavlefshme, që krahasuar me vitin 2015 është dyfishuar.

“Numri i përgjithshëm i votave të pavlefshme për kryetar bashkie është 45.276, ndërsa për këshillat bashkiak është 49.986”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!