Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Adriatik Cama. Vendimi i trupës gjykuese u komunikua sot në mëngjes nga kryesuesja Genta Tafa Bungo.
Një ditë më parë komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me prokurorin e Tiranës, duke përmbyllur hetimin për të, në kuadër të procesit të rivleresimit kalimtar. Dje, trupa relatoi raportin e DSIK, që ngrinte dyshime për përfshirjen e Camës në një aferë korruptive në vitin 2005, kohë kur ai drejtonte Prokurorinë e Lushnjës.
Sipas KPK, bashkë me një prokuror tjetër, Cama ka marrë para nga familjarët e një personi të proceduar për “kontrabandë” për të pushuar hetimet ndaj tij. Në raport thuhej se Cama kishte zëvendësuar prokurorin e çështjes me një tjetër, i cili në 2 Qershor 2005 kishte pushuar çështjen.
Sipas trupës së KPK, Adriatik Cama është person i mundshëm për t’u vënë nën presionin e personave të inkriminuar, sepse ka pasur kontakte të papërshtatshme duke shkëmbyer dhurata apo favore me persona të përshirë në krimin e organizuar. Por ky pretendim u kundërshtua me forcë nga ana e prokurorit Cama.
Edhe kontrolli i pasurisë kishte vërejtur disa probleme në pasuritë e prokurorit. Pas bilanceve financiare, KPK vlerësoi se ka mungesë burimesh të ligjshme për një përqindje të tyre. Sot pas dhënies së vendimit prokurori Cama u shpreh se do të ankimojë këtë vendim.
“Unë kam besim te drejtësia. Drejtësia është e vfërteta në veprim. Drejtësia nuk është një projektvendim i KPK-së. Drejtësia vazhdon në të gjitha shkallët dhe unë do ta ndjek në të gjitha shkallët për të takuar të drejtën time e cila më takon”./abcnews.al