KPK reagon ndaj Kurtit dhe ministrave: Deklaratat janë shantazhuese

schedule20:47 - 19 Gusht, 2023

schedule 20:47 - 19 Gusht, 2023

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar për sulmet e bëra nga kreu i qeverisë Albin Kurti dhe ministrat e tij pas arrestimit të tre të dyshuarve për keqpërdorim të rezervës shtetërore. Këshilli Prokurorial u është përgjigjur akuzave të Kurtit i cili i quajti  prokurorët dhe gjykatësit “te korruptuar të elitës së vjetër” dhe “mbështetës të krimit”. Në deklaratën e tij Këshilli i ka cilësuar si tendencioze, të pavërteta, shantazhuese lincuese dhe nënçmuese këto akuza.

 “Deklarata dhe akuza të tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”.

KPK i bënë thirrje kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të ndalin presionet ndaj drejtësisë.

 “U bëjmë  thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, Qeverisë së Kosovës që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta dhe të kota, që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës i thotë Kurtit se si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!