KPK, prokurorja Rovena Gashi refuzon seancën dëgjimore

schedule10:07 - 20 Korrik, 2018

schedule 10:07 - 20 Korrik, 2018

Më herët në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u zhvillua një seancë në lidhje me Vettingun e prokurores së pezulluar nga detyra, Rovena Gashi. Kjo e fundit bojkotoi pjesëmarrjen, ndërkohë që KPK-ja kishte bërë një hetim të thelluar të pasurive të saj dhe familjarëve të Gashit.

Një seancë e pazakontë zhvillimore u mbajt paraditen e së premtes në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku ishte planifikuar një seancë dëgjimore me prokuroren e pezulluar nga detyra, Rovena Gashi. Por kjo e fundit jo vetëm që nuk ishte e pranishme, por as e përfaqësuar me avokat. Gashi njoftoi mospjesëmarrjen në këtë seancë vetëm pak minuta para nisjes së saj. Nëpërmjet një materiali prej 27 faqesh, një pjesë e të cilit iu shpërnda edhe medias, Gashi arsyetonte bojkotin në këtë seancë, duke thënë se seanca dëgjimore në vetvete përbën vetëm një arenë diskretitimi publik të njerëzve të drejtësisë, me qëllim eleminimin e pushtetit gjyqësor. Drejtuesja e kësaj seance dëgjimore Genta Tafa Bungo bëri të ditura motivet e mospjesëmarrjes së Gashit në këtë seancë.

“E ftuar në këtë seancë dëgjimore është zonja Rovena Gashi. Këtë mëngjes, pak përpara seancës dëgjimore, zonja Gashi kaa depozituar pranë KPK një deklaratë përmbyllëse prej 27 faqesh duke njoftuar ser ajo nuk do të jete prezen në këtë seancë sot. Zonja Gashi në këtë deklaratë përmbyllëse ka shprehur opinionin e saj se kjo trupë gjykuese e ka marrë tashmë vendimin e saj që në 30 Nëntor 2017, që është njëkohësisht data kur është hedhur shorti për këtë subjekt. Gjithsesi në deklaratën përmbyllëse në përfundim kërkon konfirmimin e saj në detyrë si prokurore”, tha kryesuesja e trupës gjykuese, Genta Tafa Bungo.

Vettingu për Gashin do të bëhej me prioritet, pasi ajo është kandidate për të qenë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas ILDKPI-së deklarimi i Gashit nuk është i saktë, rezulton me mungesë burimesh, dhe me deklarime te rreme. Rovena Gashi kishte deklaruar një apartament të dhuruar nga i ati në vitin 2004, por asaj kohe, sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit babai i saj nuk justifikonte të ardhurat për t’i blerë vajzës një apartament me vlerë 38 mijë euro. Më pas sipas KPK-së janë konstatuar pasaktësi edhe për një apartament në zonën e shkëmbit të Kavajës. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit hetimi është shtrirë edhe për pasuritë e Nuredin Gashit, babait të prokurores së pezulluar nga detyra.

KPK vlerëson se sipas të ardhurave dhe shpenzimeve 1990-2004, nuk rezulton që ai të ketë pasur të ardhura të mjaftueshme, por në vitet në vijim Nuredin Gashi ka bërë disa shitje-blerje. Rezulton se shpenzimet janë 8 herë më shumë se të ardhurat. Babai i Rovena Gashit nga 2004-2016 ka investuar në pasuri të patundshme dhe hetimi i KPK ka zbuluar 15 kontrata me OSHEE-në të Nuredin Gashit në Durrës. E bija, Rovena ka saktësuar më pas se ai ka 16 kontrata të tilla.
siç njofton Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi u njoh me dosjen Rovena Gashi paraqiti mbi 300 dokumente mbështetës si dhe 12 kërkesa gjatë hetimit, mes të cilave përjashtimin e trupës gjykuese, kërkesë që u rrëzua.

Më 25 Korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë verdiktin në lidhje me Vettingun e kryer për subjektin e rivlerësimit Rovena Gashin, prokurorja e pezulluar e Prokurorisë së Përgjithshme me urdhër të kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!