KPK Konfirmoi në detyrë prokurorin Adnan Xholi

schedule10:36 - 16 Tetor, 2018

schedule 10:36 - 16 Tetor, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi. Procesi i rivlerësimit për të u bazua në të tre kriterët, pasuri, figurë dhe aftësi profesionale.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi, kaloi me sukses procesin e vettingut. Shpallja e vendimit për të u parapri nga një konstatim, i pandeshur më herët në seanca të tjera, që nuk la dyshime për vlerësimin final të trupës.

Prokurori Xholi rezultoi i pastër në të tre kriteret e kaluara në filtër nga ana e Komisionit, pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në 11 tetor, KPK relatoi certifikatë të pastër të përcjellë për Xholin nga ana e ILDKPKI-së për pasurinë. Ai kishte deklaruar një apartament, një autoveturë dhe 2.5 milionë lekë kursime bashkëshortore.

I bardhë ishte edhe raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar, ku shprehej përshtatshmëria e tij me vazhdimin e detyrës, për shkak se mungonin kontaktet me persona të papërshtatshëm. Prokurori Xholi siguroi raport pozitiv edhe për aftësitë profesionale.

E vetmja problematike e konstatuar ishte mungesa e likuiditetit për disa shpenzime të kryera prej tij. Vetë Xholi, ish-prokurori i Krimeve të Rënda, tha se në 21 vite karrierë kishte punuar me përkushtim. Ai sqaroi se kishte probleme në metodologjinë e përdorur nga KPK në llogaritjen e shpenzimeve dhe se disa udhëtime të bëra jashtë vendit nuk ishin private, por udhëtime të bëra për shkak të punës dhe kësisoj të paguara nga shteti./abcnews.al