KPA jep vendimin, Llalla nuk do t’i nënshtrohet Vettingut

schedule13:43 - 11 Qershor, 2018

schedule 13:43 - 11 Qershor, 2018

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka shpëtuar përfundimisht nga procesi i vettingut. Komisioni i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin që ndërpreu vettingun për Llallën, por urdhëroi lënien e tij jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vite.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nuk do t’i nënshtrohet procesit të vettingut.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli të hënën vendimin përfundimtar ndaj ankimit të bërë nga Komisioneri Publik kundër verdiktit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që ndërpreu këtë proces për ish-kryeprokurorin. Ai zgjodhi të mos paraqitej as në këtë seancë, ku u përfaqësua nga avokati.

“Ndërprerjen e procesit të vlerësimit ndaj subjektit Adriatik Llalla”

Në ankimin e bërë Komisioneri pretendonte se Llalla nuk kishte dhënë doreheqjen sipas procedurës së kërkuar nga ligji ndaj vazhdonte të gëzonte statusin e magjistratit. Si i tillë, sipas Komisionerit, ai duhet të kalonte në filtrat e vettingut.

Kryesuesi i Kolegjit, Sokol Çomo, argumentoi se Adriatik Llalla ka dhënë dorëheqjen tek organi kompetent, që sipas trupit gjykues, është Presidenti i Republikës.

“Është zbatuar rruga e duhur proceduriale e ligjislacionit në fuqi”

Në këtë linjë, Kolegji vlerësoi se vendimi i KPK për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar ka qenë i drejtë.

Kolegji ndryshoi vendimin e KPK-së vetëm sa i përket pjesës urdhëruese për moskthimin e Llallës në sistem.

“Ndalimin e emërimit të zotit Adriatik Llalla gjyqtar e prokuror të çdo niveli, anëtar i këshillit të lartë gjyqësor, inspektor i drejtësisë, prokuror i përgjithshëm për 15 vjet”

Avokati Sokol Hazizaj e konsideroi vendimin një sukses të Reformës në Drejtësi, ndërsa nuk pranoi të tregojë vendodhjen aktuale të Llallës.

“ Ligji fitoi, e drejta gjithashtu, sot reforma në drejtësi ka marrë suksesin e parë”

Ndërsa i shpëtoi përfundimisht vettingut, Adriatik Llalla është duke u hetuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda për akuzën e “Fshehjes ose deklarim i rreme i pasurisë”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!