Ndërsa Presidenti Aleksandër Vucic flet për vendime të njëanshme, sic është dhe mundësia e deklaruar prej tij, për të ndryshuar rrjedhën e lumit Ibër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Në një reagim për deklaratat e fundit për rrjedhën e lumit Ibër të Vucic, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten ndër prioritetet e Shteteve të Bashkuara. “Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, i tha një zëdhënës i DASH Radio Europa e Lirë.
Të martën mbi qëndrimet e Presdientit serb reagoi dhe Bashkimi Evropian, që ia ka bërë të qartë Serbisë se deklaratat e tilla për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anita Hipper, deklaroi se çështjet e hapura ndërmjet dy palëve mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.
“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshimet e mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprimet, nuk e mbështesin këtë objektiv për të pasur një marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut. Rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të përparojë në rrugën evropiane.”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.
Kjo solli reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua me një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.
Të martën Rama tha se rrjedhjat e lumit ndjekin gjeografinë dhe jo diskutimet politike dhe theksoi se Serbia e ka humbur Kosovën.
Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron nga Mali i Zi, kalon në Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit. Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës. / abcnews.al /


