Korrupsioni, Zoto i përgjigjet Labit

schedule18:25 - 30 Nëntor, 2017

schedule 18:25 - 30 Nëntor, 2017

Dy javë pasi u tregua me gisht nga ish-zëvendësi i tij në sallën e gjyqit si i përfshirë në një aferë korruptive, ish-drejtori i Përgjithshëm Artur Zoto, mohoi akuzën e ngritur ndaj tij. Para trupit gjykues Zoto garantoi se procedura tenderuese për të cilën akuzohet është zhvilluar sipas ligjit. Ai mohoi kontaktet e tij me Labin, apo pesë biznesmenët garues për tenderin.

Artur Zoto, ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve i akuzuar për “korrupsion” gjatë një procedure tenderimi të ushqimit në burgje këmbëngul në pafajësinë e tij. Në seancën e së enjtes tek Krimet e Rënda, dy javë pasi ish-vartësi i tij Iliaz Labi tha se i kishte dorëzuar në zyrë 2 milionë lekë rryshfet, Zoto hodhi poshtë me forcë këto pretendime. “Hapini kamerat e sigurisë. Nëse Iliaz Labi është futur ndonjëherë në zyrën time, le të dënohem maksimalisht”, tha Zoto. Ai shtoi se me ish-vartësin e tij Labi kishte pasur komunikim të ngrirë, për shkak se nuk i përgjigjej kërkesave të tij institucionale dhe në disa raste kishte humbur shkresa.

I pandehuri rrefeu edhe një procedim disiplinor të bërë nga Drejtoria e Burgjeve për Labin, bazuar në një shkrese të Ministrisë së Drejtësisë ku ai dyshohej për “korrupsion” dhe për dalje jashtë shtetit pa leje.

Zoto përjashtoi veten edhe nga kontaktet me pesë biznesmenët garues për tenderin, të pandehur në një procedim të veçuar.
“Nuk i njoh pesë biznesmenët. Nuk kam pasur ndonjëherë komunikim me telefonik me ta. As nuk i kam takuar ndonjëherë dhe as adresuar njeri që t’i takojë”, tha ai.
Gjatë shpjegimeve para gjykatës u regjistrua dhe një përplasje mes të pandehuri dhe prokurores, ku Zoto ngriti dyshime se nuk po mbahej në qeli për tenderin. “Nëse jam këtu për gjëra të tjera, ju e dini shumë mirë”, tha Zoto. Prokurorja Elisabeta Imaraj i kërkoi të pandehurit sqarohet, duke i kujtuar se po pyetej para gjykatës dhe nuk po dialogonin. Situata u qetësua me ndërhyrjen e kryesuesit.

Në përfundim të deklarimeve të tij, Zoto i bëri thirrje gjykatës për të ngritur një komision të veçantë me përfaqësues nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik për të verifikuar tenderin për të cilin ai akuzohet. Le t’i verifikojnë shkresat një nga një, tha Zoto, nëse mund të gjejnë një shkelje të vetme.
Në seancën e 15 nëntorit të këtij procesi gjyqësor, dëshmitari Iliaz Labi akuzoi direkt ish-shefin e tij, duke pretenduar se ishte adresuar tek një biznesmen, të cilit i kishte marrë 2 milionë lekë. Sipas Labit, këtë shumë ia kishte dorëzuar Zotos në zyrë. Në seancën e radhës të këtij procesi, e caktuar në 4 dhjetor gjykata do të administrojë provat shkresore të prokurorisë./abcnews.al

 

https://youtu.be/I-58rGp8KeM

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!