Korçë, përfundon pa rezultat mbi çështje konkrete takimi Kotzias – Bushati

schedule14:27 - 21 Janar, 2018

schedule 14:27 - 21 Janar, 2018

Asgjë konkrete duket se nuk është arritur në Korçë mes ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias.

Të paktën këtë ka lënë të kuptohet njoftimi i përbashkët për shtyp shpërndarë për mediat nga zyra e minsitrit Bushati në mbyllje të takimit tre ditor.

“Në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë Nëntorin e kaluar, të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat evropiane”, thuhet në njoftim.

Për progresin për çështjet e hapura mes dy vendeve i foli medias edhe ministri ynë i Jashtëm, Bushati, në mbyllje të ditës së dytë të takimit, ndonëse nuk përmendi asnjë nga çështjet delikate si ligji i luftës, kufiri detar, varrezat e ushtarëve grekë dhe minoriteti grek në Shqipëri, që tashmë janë të njohura.

Pas kësaj foto të përbashkët mesditën e së dielës, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias, është larguar nga Korça duke lënë të hapur mundësitë e dialogut mes dy palëve.

“Diskutimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive. Të dyja palët përsëritën angazhimin e tyre për të ndjekur më tej dialogun në të gjitha nivelet në muajt në vijim”, thuhet ne njoftim.

Më herët burimet i thanë gazetarëve se në muajin Prill, kryeministri Rama do të takojë homologun Tsipras./abcnews.al