Konsultime në Has e Kukës për tarifën e Rrugës së Kombit

schedule12:21 - 13 Prill, 2018

schedule 12:21 - 13 Prill, 2018

Konsultimet për tarifën e Rrugës së Kombit kanë vazhduar edhe me banorë të Hasit dhe Kukësit. Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli tha se po vijohet paralelisht negocimi me koncensionarin.

Është radha e banorëve të Hasit dhe Kukësit të dëgjojnë se sa do të paguajnë për të kaluar në rrugën e kombit. Nuk ka ende asnjë shifër konkrete pasi qeveria është në fazë negocimi me koncensionarin ua bëri të ditur zëvendës ministri i Infrastukturës dhe Energjisë Artan Shkreli.Debati që shtrohet aktualisht sipas Shkrelit nuk ka të bëjë me nëse do të ketë apo jo një kalim me pagesë pasi kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar këtë aset nga degradimi tha ai.

“Idea këtu nuk shtrohet më që ta bëjmë rrugën me Toll apo pa Toll. Rruga pa Toll do të thotë një rrugë që nuk mirëmbahet dhe gjithë ato miliarda që janë harxhuar do shkojnë drejt degradimit”, u shpreh Shkreli.

Zëvendësministri Shkreli theksoi rëndësinë që ka përfundimi i rrugës së kombit,

“Për të mbaruar kjo rrugë, sipas projekteve fillestare të fizibilitetit, duhen 240 deri 260 milion euro pasi asnjë njeri nuk e ka bërë azhornimin se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit kur rruga natyrisht mund të ketë degraduar në element të rëndësishëm të saj. 260 milion euro që nuk janë. Borxhi që lahet çdo vit i kësaj rruge, principal plus interesa është rreth 40% e krejt taksës së qarkullimit që mblidhet në rang Shqipërie. Rruga është menaxhuar ashtu siç është menaxhuar dhe ka ardhur me një histori të veten ashtu sikurse ka ardhur. Kjo rrugë duhet mbaruar”, nënvizoi Shkreli.

Kryebashkiaku i Hasit Adem Lala tha se qytetarët e kësaj bashkie nuk janë kundër tarifës por kërkojnë që ajo të jetë e përballueshme.

“Banorët që jetojnë në Has nuk janë kundër tarifës por tarifa duhet të jetë e veçantë për ne që e përdorim më shpesh këtë rrugë duke marrë parasysh gjendjen sociale dhe ekonomike që ka zona. Duhet që tarifa të jetë stimuluese për banorët e zonës sonë”, u shpreh ai.

Optimist për gjetjen e një zgjidhje shprehet Safet Gjici.Ai beson se qeveria, duke negociuar fuqishëm me koncesionarin do të dalë në një zgjidhje shumë të pranueshme dhe në favor të qytetarëve. /abcnews.al