Një rrjedhje informacioni për sigurinë e avionit luksoz të dhuruar nga Katari, i destinuar të shërbejë si Air Force One, ka vënë në alarm administratën e Presidentit Donald Trump, duke çuar në një hetim të gjerë ku zyrtarëve federalë iu kërkua të dorëzonin edhe telefonat celularë.
Sipas burimeve të CNN, Shtëpia e Bardhë zhvilloi një operacion intensiv për të identifikuar personin ose personat që nxorën informacionet mbi mangësitë e sigurisë së avionit. Disa zyrtarëve federalë u është kërkuar të dorëzojnë telefonat e tyre për verifikim nga hetuesit. Hetimi u drejtua nga shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, të cilët, sipas burimeve, koordinuan personalisht operacionin nga Krahu Perëndimor i Shtëpisë së Bardhë. Patel raportohet se kaloi rreth shtatë orë në një zyrë pranë Wiles, ku u ngrit ajo që burimet e përshkruajnë si një “dhomë lufte” për menaxhimin e hetimit.
Sipas CNN, Presidenti Donald Trump reagoi me zemërim pasi u publikuan informacionet mbi shqetësimet e sigurisë së avionit të ri. Si pasojë, administrata urdhëroi një hetim të gjerë për të zbuluar burimin e rrjedhjes së informacionit.
Përveç kërkesës për dorëzimin e telefonave celularë, hetuesit morën në pyetje dhe kërkuan informacione nga zyrtarë që kishin marrë pjesë në udhëtimet presidenciale ose ishin përfshirë në organizimin e tyre. Megjithatë, jo të gjithë pranuan të dorëzonin pajisjet e tyre. Raportimet tregojnë se të paktën një agjenci federale u dërgoi punonjësve udhëzime që, nëse kontaktoheshin nga agjenci të tjera për të dhënë informacione ose për të dorëzuar pajisje, të njoftonin menjëherë zyrën ligjore të institucionit.
Hetimi u bë publik pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë lëshoi fletëthirrje për katër gazetarë të gazetës The New York Times, të cilët kishin raportuar mbi shqetësimet e sigurisë që lidhen me avionin. Ky veprim është kritikuar nga organizatat për lirinë e shtypit dhe nga vetë gazeta, e cila ka bërë të ditur se do t’i kundërshtojë fletëthirrjet në gjykatë. Në qendër të debatit është një avion Boeing 747, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, i dhuruar nga Katari për përdorim presidencial. Fillimisht, Trump kishte planifikuar ta përdorte gjatë një udhëtimi ndërkombëtar, por më pas vendosi të rikthehej te avioni aktual presidencial.



