Konfindustria vë në pikëpyetje ligjet e miratuara në parlament

schedule18:51 - 6 Tetor, 2019

schedule 18:51 - 6 Tetor, 2019

Pasoja negative në ekonominë e vendit parashikon Konfindustria për shkak të ligjeve të miratuara së fundmi në Kuvend.

Mungesa e gati 1/7 së deputeteve në Parlament dhe një oponencë pa cilësi, sipas Gjergj Buxhukut, po prodhojnë ligje korruptive.

Konfederata e Industrive të Shqipërisë vë në pikëpyetje cilësinë e ligjeve me ndikim afatgjatë në ekonominë e vendit miratuar së fundmi në Parlament ndër to dhe kontratat koncesionare.

Administratori i Përgjithshëm Gjergj Buxhuku arsyet i jep përmes një njoftimi për shtyp.

“Në Kuvendin e Shqipërisë mungon pothuaj 1/7 e numrit të përgjithshëm të deputetëve dhe cilësia e oponencës ndaj akteve ligjore të sjella nga qeveria ka qenë e ulët në komisione parlamentare dhe në seanca plenare. Rëndësia dhe koha e kushtuar akteve ligjore me ndikim ekonomik dhe financiar ka qenë e ulët dhe është shmangur pothuaj krejtësisht pjesëmarrja e grupeve të interesit dhe informimi publikut”, tha Buxhuku.

Në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë sipas Buxhukut nuk funksionon normalisht si nga numri dhe nga profesionalizmi, por dhe përqendrimi tek kriza politike dhe integrimi në Bashkimin Evropian këto ligje rrezikojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në rast të kundërt aktet ligjore të miratuara rrezikojnë seriozisht të jenë të paarsyetuara profesionalisht, subjektive dhe deri të tipit korrupsionit “state capture/kapje e shtetit” me pasoja të rënda në afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ai.

Për situatën e krijuar Konfindustria ngarkon me përgjegjësi shumicën politike, por jo vetëm.

“Përgjegjësi të drejtpërdrejtë në gjendjen e mësipërme ka edhe pakica politike me largimin e saj nga vendimmarrja ligjore. Në Kuvendin e Shqipërisë, në legjislaturën në vazhdim brenda muajit shtator 2019 janë miratuar kontrata koncesionare të tipit PPP me vlerë 330 milionë euro, që përbëjnë mbi 3% të PBB.”

Ndër projektligjet e dërguara në Kuvend së fundmi Konfindustria përmend dhe fiskalizimin elektronik dhe krijimin e Koorporatës Shqiptare të Investimeve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!