Komisioni i ligjeve shtyn diskutimin për ndryshimin e ligjit të reformës në drejtësi

schedule19:20 - 4 Qershor, 2018

schedule 19:20 - 4 Qershor, 2018

Komisioni i ligjeve shtyu për një moment të dytë diskutimet për ndryshimet në ligjin e reformës në drejtësi, i cili ka shkaktuar ngërç pranë Shkollës së Magjistraturës, e cila nuk mund të pranojë kandidatë për magjistratë sa kohë organet e reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai i Gjyqësorit, nuk janë formuar ende.

Propozimi i Ulsi Manjës dhe Klotilda Bushkës për ndryshimin e ligjit të reformës në drejtësi vjen pas ngërçit të krijuar me vonesat thuajse 2-vjeçare të ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë të Gjyqësorit dhe ai i Prokurorisë.

Propozimi në fjalë kërkon të zgjasë dispozitat kalimtare përmes së cilave përcaktimi i kuotave për magjistratë ishte kompetencë e Shkollës së Magjistraturës, ndërsa emërimi dhe caktimi i tyre në vendet e punës, përgjegjësi e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Për deputetin e LSI, Nasip Naço, mungesa e analizës dhe kthimi në praktikën e vjetër minojnë domosdoshmërinë e adresimit të kësaj çështejje.

Shqetësimi i ish-ministrit të drejtësisë, Nasip Naço, mori mbështetjen parimore të dy propozuesve të këtij projektligji.

Pas një debati që solli ide të reja për formulimin e këtyre ndryshimeve, kreu i komisionit, Ulsi Manja, ftoi opozitën të ishte pjesë e debatit për këtë ndryshim të rëndësishëm të ligjit të reformës dhe hodhi në votim propozimin e relatorit Adnor Shameti për shtyrjen e miratimit nen për nen dhe në tërësi për në mbledhjen e radhës./abcnews.al