Deputetët demokratë filluan që sot të bllokojnë shqyrtimin e axhendës normale të komisioneve parlamentare. Ata morën pjesë në komisionin e medias dhe atë të ekonomisë, ku kryefjalë patën dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Nuk do të ketë mbledhje normale të komisioneve parlamentare. Çdo rend dite duhet të rrëzohet dhe të gjithë deputetë të djathtë e të majtë duhet të kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Është kjo thirrja që i drejtojnë deputetët demokratë kolegëve socialistë.
Edmond Spaho: “Nuk mund të kemi një ministër të Brendshëm që është i përzierë në trafikun e drogës dhe mbrojtjen e organizatave kriminale. Ju duhet të bashkoheni dhe të ngrini shqetësimin me ne. Ministri i Brendshëm duhet të japë dorëheqjen. Nuk kemi më kohqë që të mbajmë ministra të Brendshëm, ata të cilët janë lidhur me krimin e organizuar”.
Në komisionin e medias, deputët socialistë kërkuan të zbatohej rendi i ditës.
Milva Ekonomi: “Nëse keni këto shqetësime duhet t’i ngrini të enjten. Komisioni ka tjetër rend dite”.
Edmond Spaho: “Milva, të lutem shumë se nuk je i atij takëmi të mbrosh trafikantët e drogës”.
E njëjta kërkesë u drejtua edhe në komisionin e ekonomisë.
Jorida Tabaku: “Kolegë të ndershëm nga Partia Socialiste që duan të ngrejnë këto shqetësime. Ka plot kolegë të ndershëm në Ps që janë kundër asaj që po ndodh. Le të fillojmë ta kërkojmë sot dhe le të fillojmë t’i kërkojmë dorëheqjen ministrit të Brendshëm jo vetm ne, por dhe ju”.
Deputetja e Partisë Demokratike i kërkoi anëtarëve të komisionit të ekonomisë që të bashkohen edhe për ligjin e lojërave të fatit.
Jorida Tabaku: “Këtu, anëtarë të këtij komisioni kanë ndihmuar drejtëpërdrejtë zotin Agron Xhafaj për të përfituar nga trafiku i lojërave të fatit. Komisioni i ekonomisëduhet të kishte këtë në rend të parë dite”.
Erion Braçe: “Kur të dëshironi. Me shkrim kërkesën tuaj dhe e diskutojmë në komision kur të doni”.
Kërkesa për dorëheqje e ministrit Xhafaj nuk i bëri bashkë deputetët e majtë e të djathtë.
Pasi demokratët nuk morën mbështetje por paralajmëruan se do të vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim në mbledhjet e komisioneve parlamentare, u larguan.
Pas kësaj kryetari i komisionit të ekonomisë Erion Braçe tha atë që do tyë donin ta dëgjonin të gjithë.
Erion Braçe: “Ajo që mua më bën përshtypje dhe që është vërtetë e rëndë dhe që është vërtetë kriminale ka lidhje me faktin që asnjëri prej tyre nuk ka as edhe akuzën më të vogël për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për përfshirje të tij në akitvitete të paligjshme dhe kriminale. Asnjë. Zero”.
Madje sipas Braçes, ministri Xhafaj meriton respektin e të gjithë kolegëve.
Erion Braçe: “Do doja t;ju thoja që Fatmir Xhafaj është një nga minstrat e Brendshëm më të mirë që ka pasur Shqipëria”.
Më pas komisioni parlamentar ka vazhduar me rendin e ditës ashtu siç edhe ishin porositur më herët nga kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla.
Sipas numrit dy të Partisë Socialiste, Partia Demokratike kërkon të bllokojë rrugën evropiane, por socialistët kanë përgjegjësinë të qeverisin vendin./abcnews.al