Pas Qazim Laçit, kombëtarja e Shqipërisë humbet edhe shërbimet e një tjetër futbollisti, duke detyruar Rolando Maran të ndryshojë për herë të dytë listën që në ditën e parë të grumbullimit për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Ashtu si mesfushori tjetër, Adrion Pajaziti u prezantua me një dëmtim të mbartur, por pas testeve të specializuara me stafin mjekësor të kombëtares është zbuluar se futbollisti nuk do të mund të rikuperohet në kohë për të katërta sfidat e radhës.
Për të zëvendësuar Pajazitin, Maran ka kthyer sytë nga Kategoria Superiore, duke ftuar mesfushorin e Dinamo City, Klevi Qefalia.
Një prej lojtarëve më të spikatur në sezonet e fundit të futbollit në vend u bashkua menjëherë me skuadrën kuqezi, duke zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore.
Klevi Qefalia bëhet futbollisti i tretë në kombëtare që luan në Superiore, pas shokut të tij të ekipit Naser Aliji dhe portierit të Egantias, Mario Dajsinani.
Më parë, Maran kishte ftuar edhe kapitenin e Shqipërisë U21, Feta Fetai për të zëvendësuar Qazim Laçin, edhe ky i dëmtuar.
Pas ditës së parë të përgatitjeve, ku për shkak të orareve të avionëve dhe impenjimeve me skuadrat e klubeve, disa lojtarë nuk arritën në kohë për seancën e parë stërvitore.
Vetëm nga kjo e martë, duke përfshirë edhe ndryshimet e detyrueshme në listë, Maran do të ketë në dispozicion të gjithë grupin e futbollistëve.
Kombëtarja e Shqipërisë do të vijojë përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit” për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Aventura e kuqezinjve në këtë turne nis më 26 shtator në “Air Albania” kundër Bjellorusisë, vijon me dy transfertat kundër San Marinos dhe Finladës dhe mbyllet sërish në Tiranë më 6 tetor me ndeshjen e kthimit kundër San Marinos.

