Kolegji rrëzon të gjitha paditë për 30 Qershorin, nis mandatimin e këshillave bashkiakë

schedule15:40 - 22 Korrik, 2019

schedule 15:40 - 22 Korrik, 2019

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot të gjitha ankesat e bëra nga partitë apo kandidatët për 30 Qershorin, duke lënë në fuqi vendimmarrjet e KQZ-së. Trupa gjyqësore nisi edhe shpërndarjen e mandateve për 7 këshillat e parë bashkiakë, që ju hap rrugë betimit të kryebashkiakëve të rinj.

Kolegji zgjedhor dha këtë të hënë 13 vendime mbi procesin zgjedhor të 30 Qershorit.

Trupa gjyqësore rrëzoi të gjitha ankimet e bëra për procesin zgjedhor, duke lënë në fuqi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në fillim, Kolegji rrëzoi 5 ankime të Bindjes Demokratike, e cila kundërshton rezultatin në bashkitë: Selenicë, Shijak, Kubrin, Tiranë dhe Berat. Në këto bashki, partia e Patozit pretendon se kutitë janë mbushur artificialisht dhe votat e saj janë vjedhur gjatë numërimit.

PS,dhe KQZ, i kërkuan gjykatës të rrëzoheshin paditë, pasi Bindja Demokratike nuk kishte sjellë prova.

Më pas, kolegji rrëzoi edhe pretendimin e kryebashkiakut në largim të Finiqit, Leonidha Hristo, i cili nuk e pranon humbjen në kërkesën me shkrim, por që as u paraqit fare në seancë.

Kolegji vijoi punën më tej, duke pranuar 7 paditë e para të Partisë Socialiste, e cila kërkoi që Kolegji zgjedhor, të shpërndajë mandatet për këshillat bashkiakë.

KQZ dështoi të bëjë këtë shpërndarje, pasi ky vendim kërkonte 5 vota në tryezën e KQZ-së, dhe vota kundër e Klement Zgurit pamundësonte miratimin e tabelave.

Kolegji pranoi kërkesat, duke ju dhënë mandatet këshilltarëve bashkiakë, që ju hap rrugë betimit të kryebashkiakëve të rinj në mbledhjen e parë të parlamentit lokal.

13 bashki të tjera janë caktuar të gjykohen ditën e martë, e për të vazhduar me të tjerat po gjatë kësaj jave./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!