Kokaina në Durrës, policia jep detajet

schedule12:00 - 27 Shtator, 2019

schedule 12:00 - 27 Shtator, 2019

Policia e Shtetit ka sekuestruar në portin e Durrësit 137 kilogramë kokainë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, bëri publike detajet e operacionit “Kuito”, i cili u zhvillua në bashkëpunim me partnerët e asaj ndërkombëtar.

Agjencia amerikane kundër drogës “DEA” ka udhëhequr edhe në Shqipëri me agjentët e saj sekuestrimin e 137 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu bashkë me prokurorin e Krimeve të Rënda Ervin Kondili dhanë detaje për megaoperacion ndërkombëtarë të kryer në tri shtete, Ekuadori, Greqi dhe më pas në Shqipëri nëpërmjet rrugës detare.

“Tregon edhe njëherë vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar, si dhe besimin gjithnjë në rritje të partnerëve për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit. Ky operacion i dorëzimit të kontrolluar shënon  një hap cilësor në luftën kundër Krimit të Organizuar. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni morën pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ZQK Interpol Tirana, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë e Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës”.

Kontenierët me banane ku ishte fshehur kokainën u nis në muajin Gusht në mënyrë të kontrolluar nga porti i Pireut i Greqisë drejt atij të Durrësit.

“Policia Shqiptare organizoi  dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019. Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s. Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit që do zhvillohej për goditjen e aktivitetit kriminal të personave që trafikonin lëndë narkotike të llojit kokainë nga Ekuadori në Greqi dhe më pas në Shqipëri, nëpërmjet rrugës detare.”

Në pranga u vunë dy persona, dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi, i cili dyshohet se ishte edhe pritësit e lëndë narkotike në vendin tonë.

“Gjatë hetimeve të deritanishme rezulton se këta shtetas ishin pritësit e kësaj lënde narkotike në Durrës. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit.”

Për operacionin “Kuito” reagoi edhe ministri Brendshëm Sandër Lleshaj. Ai e ka quajtur sekuestrimin e kokainës në Durrës si një tjetër provë e pjekurisë profesionale dhe e angazhimit serioz të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, i cili ka marrë sot një goditje domethënëse./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!