Klosi: Gati kalendari i festave në 100 fshatra

schedule16:01 - 3 Shkurt, 2019

schedule 16:01 - 3 Shkurt, 2019

Është festuar në Liqenin e Prespës dita e pijes së Verës. Një atmosferë e tillë do të shtrihet në të 100 fshatrat turistikë tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili nënvizoi rëndësinë që ka promovimi i këtyre zonave për të shtuar numrin e turistëve vendas e të huaj.

Me një gotë në duar e me tryezën e shtruar me prodhimet tradicionale të zonës, Prespa ka festuar ditën e pijes së verës.

Arsyeja pse ndodhej buzë liqenit të Prespës edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ishte mesazhi që donte t’i përcillte të gjithë sektorit të turizmit dhe agriturizmit në vend.

“Ajo çfarë ne synojmë gjatë realizimit të këtyre festave është që shumë më tepër turistë të vizitojnë Prespën, shumë më tepër konsumatorë të produkteve lokale, të produkteve tradicionale, shumë më tepër konsumatorë të bukurive natyrore, shumë më tepër biznes, shumë më tepër mirëqënie, punësim dhe ekonomi për banorët e Pustecit dhe zonave rurale, ky është objektivi që ne i kemi vënë vetes”, tha Klosi.

Për ministrin Klosi, festat lokale vijnë në zbatim të planit 365 ditor të masave për një turizëm më të qëndrueshëm dhe më cilësorë. Me në fokus, promovimin e vlerave të liqenit, kombinuar me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe me traditën e një feste lokale, për ta shndërruar Shqipërinë në një magnet për më shumë ekonomi.

“Në qoftë se nuk e kuptojmë që edhe këtu në Pustec duhet të shtojmë informacionet turistike, duhet të përgatisim guidat e vërteta turistike që shoqërojnë tursitët, qoftë në zonën rurale apo të malit, ashtu edhe në zonën e liqenit, në qoftë se nuk e kuptojmë që kemi nevojë me shpejtësi për disa pika të vërteta agroturizmi”, tha Klosi.

Duke folur edhe në emër të qeverisë, ministri Klosi tha se është filluar të jepet ndihma financiare duke reduktuar kostot e operimit.

“Pra kemi ulur TVSH-në, e kemi bërë 5% dhe Tatim Fitimin po 5%, duke dhënë po të njëjtin status që kanë hotelet me 5 yje biznet dhe agrobiznesi lokal. Dhe duke i dhënë të gjitha këto, ne kërkojmë që të rrisim prodhimin e brendshëm dhe lokal”, u shpreh ministri.

Në festën e pijes së verës, një vajzë e re mori cmim për fotografimin më të bukur të Liqenit të Prespës./abcnews.al