Klopp: Goli më i bukur që ka realizuar një portier, s’e besoja çfarë po shihja

schedule21:12 - 16 Maj, 2021

schedule 21:12 - 16 Maj, 2021

Alisson Becker shpërtheu në lot pas ndeshjes dhe trajneri Jurgen Klopp shkoi e përqafoi. Portieri shënoi golin e fitores kundër ËBA në minutat shtesë dhe bëhet i pari në historinë e Liverpool që e bën diçka të tillë. Kurrë një “gardian” i “The Reds” nuk kishte shënuar.

Trajneri Klopp, pas ndeshjes e vlerësoi shumë Alisson dhe për BBC Sport u shpreh: “Wow, është një fjalë mjaft e mirë. Ishte spektakolare dhe një ndeshje  e mirë. Çfarë momenti, deri më tani më kryesori. Shpresoj të kemi një tjetër moment të tillë këtë sezon. Ishte një ndeshje e ndërlikuar.

Të fitosh në atë mënyrë është me të vërtetë e veçantë. Nuk mund të isha më i lumtur në këtë moment. Është goli më i bukur që kam parë të jetë shënuar nga një portier. Sulmuesit shënojnë ashtu. Nëse e realizonte Giroud ashtu, të gjithë do thoshin është gol i nivelit botëror. Wow”.

“Lotët e Alisson? Alisson është lojtari, djali dhe vëllai ynë. Kur ai vuan, ne vuajmë të gjithë. Është e vështirë në këto momente. Ka gjëra më të rëndësishme se futbolli, por kur futbolli mund të japë momente të tilla për të, për djemtë dhe gjithë tifozët tanë, atëherë futbolli është gjëja më e mirë se gjithçka tjetër”.

Klopp foli edhe për Sky Sport dhe për golin e Alisson tha: “Është një goditje e pabesueshme me kokë, kurrë nuk e kam parë diçka të tillë. Një teknikë shumë e mirë. Nuk isha i sigurt se çfarë po shihja në ato momente”.

Në fund, i pyetur për shanset e kualifikimit në Champions League, trajneri gjerman shtoi: “Ne nuk kemi bërë as gjysmën e rrugës. Duhet të fitojmë ndeshjen e radhës. Do jetë një atmosferë e bukur dhe nuk do jetë aspak një ndeshje miqësore”. /abcnews.al