Kim nuk njeh Berishën, Noka: S’ka rëndësi, e vendosin demokratët kush është kryetar

schedule22:07 - 30 Shtator, 2022

schedule 22:07 - 30 Shtator, 2022

Kryediplomatja amerikane Yuri Kim deklaroi edhe njëherë se SHBA nuk e njeh Sali Berishën si kryear të PD dhe se Uashingtoni e ka ndaluar ta takojë.

Por deputeti Flamur Noka deklaron në “Log.” se nuk ka rëndësi kë njeh Kim dhe se kryetarin e PD e vendosin demokratët. Sipas tij nuk kanë rëndësi as takimet. Ai e akuzon kryediplomaten për përçarje të opozitës që siç thotë i shërben Edi Ramës.

“Ajo që prevalon nuk është kë njeh zonja Kim dhe Rama. E rëndësishme është që ka thyer kodin e diplomatit. Ka bërë gjithçka për të përçarë opozitën dhe t’i shërbyer Edi Ramës. E rëndësishme është kë njohin demokratët kryetar.

Nuk ka rëndësi kë takojnë. Janë gjëra të parëndësishme. E rëndësishme është që gjithë sekush, diplomat në këtë vend duhet të ruajë kornizën e diplomatit. Por të luftosh për të përçarë opozitën i shërben Ramës. Kush është kryetar i PD vendosin demokratët.

Që të mbjellësh filiza duhet të kesh tokën. Nuk mbillen në gurë. Në këtë vend është parë që ka pasur tentativa për të mbjellë filiza në gurë. Jo, nuk mbijnë në gurë. Të lodhen diplomatë dhe kryeministri apo kushdo tjetër”, tha Noka.

Lidhur me lobimin rus, deputeti distancoi Partinë Demokratike, duke e cilësuar këtë çështje si përgjegjësi individuale të Lulzim Bashës.

“PD as kur është drejtuar nga Basha dhe as nga Berisha nuk ka pasur asnjë lidhje me fonde ruse. Ajo që më shqetëson mua është se ka një tendencë për të bashkuar individin me partinë. Për sa kohë nuk ka lidhje asgjë me partinë, asnjë lekë nuk ka kaluar nga arka e PD. Unë kam pyetur ish sekretarin e përgjithshëm të partisë, Arben Ristani. Nuk ka pasur asnjë vendim për lobim. Nuk ka hyrë asnjë para jo ruse, por as e zezë në arkën e PD. Është akt individual”, theksoi Noka. /abcnews.al