Kim Jong-un në Kinë, Trump: Mezi pres të takohem me të

schedule21:09 - 28 Mars, 2018

schedule 21:09 - 28 Mars, 2018

Donald Trump ka deklaruar se është më i gatshëm se kurrë për t’u takuar me Kim Jong-un. Presidenti amerikan ka reaguar pas udhëtimit të liderit koreano-verior në Pekin, ku zhvilloi një takim “të suksesshëm” me Presidentin kinez.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mezi pret të takohet me Kim Jong un, pasi mësoi se udhëtimi i liderit koreano-verior në Kinë kishte shkuar mirë. Trump theksoi se eliminimi i arsenalit bërthamor nga vendi i izoluar komunist tashmë ka shanse reale, por nënvizoi se sanksionet dhe presioni ndaj Penianit do të vazhdojnë.

Udhëtimi i Kim Jong-un në Kinë, ku u takua me presidentin Xi Jinping, ishte i pari që ai zhvillon që prej vitit 2011, kur mori detyrën e trashëguar nga i ati.

Kim dhe bashkëshortja e tij u pritën nga garda e nderit dhe me një banket dhe gjatë takimit me presidentin kinez ai tha se ishte i angazhuar për asgjësimin e armëve bërthamore. Këtë të mërkurë, Trump mirëpriti lajmet për takimin, konfirmimi i të cilit erdhi pas disa ditë spekulimesh në mediat ndërkombëtare.

“Tani ka shanse serioze se Kim Jong un do të bëjë gjënë e duhur për popullin e tij dhe gjithë njerëzimin. Gjithashtu, ai mezi pret të takohet me mua”, ka thënë Trump në profilin e tij në Twitter./abcnews.al