Khashoggi, identifikohet agjenti sekret që koordinoi vrasjen e gazetarit

schedule23:07 - 6 Dhjetor, 2018

schedule23:07 - 6 Dhjetor, 2018

Autoritetet turke kanë identifikuar personin që konsiderohet si çelësi i misterit të vrasjes së gazetarit Xhamal Kashogi. Sipas Ankarasë zyrtare, bëhet fjalë për një agjent sekret saudit që koordinoi planin e ekzekutimit në bashkëpunim me zyrtarë të Riadit.

Hetuesit turq kanë identifikuar një agjent ndërlidhës të shërbimeve sekrete saudite si personin që ka luajtur rolin kyç në planifikimin dhe vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Sipas hetuesve, agjenti në fjalë ka shërbyer si korrier për llogari të inteligjencës së Riadit. Gazeta “Hurriet” e ka identifikuar atë si Ahmed Abdullah al Muzaini, shef i agjentëve pranë konsullatës saudite në Stamboll, përpara vrasjes së reporterit. Sipas burimeve, oficeri ka shkuar në Arabinë Saudite 29 shtatorin e kaluar, një ditë pas vizitës së parë të Kashogit në selinë diplomatike, për t’u takuar me gjeneralin Ahmet al Asiri.

Së bashku ata kanë përcaktuar detajet, kanë formuar grupin e vrasësve dhe më pas Al Muzaini është kthyer në Stamboll, në vigjilje të vrasjes. Ndërsa një ditë më pas, ai është larguar përfundimisht nga Turqia. Më herët, prokuroria e Stambollit shpalli dy urdhër-arreste për ekzekutimin e Kashogit, konkretisht për Saud al Katani, bashkëpunëtor i afërt i princit saudit Mohamed bin Salman dhe ndaj gjeneralit Ahmed al Asiri, ish-numri dy i shërbimeve sekrete. Të dy zyrtarët u shkarkuan nga detyra menjëherë pas vrasjes. Aktualisht ata ndodhen në Arabinë Saudite dhe mbretëria ka refuzuar kërkesën turke për ekstradim./abcnews.al