Kryeministri Edi Rama premton më shumë mbështetje për sistemin shëndetësor. Shefi i qeverisë vizitoi spitalin rajonal të Kukësit bashkë me ministren e Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale treguan për investimet që do të kryehen në këtë spital.
Për herë të parë pas dekadash spitali rajonal i Kukesit do te perfitoje investime ne infrastrukture dhe pajisje. Në fazën e parë do të investohen 169 milionë lekësh. Projektin e shpjegoi ministrja e Shëndetësise dhe Mbrojtes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në këtë spital me kryeministrin Edi Rama.
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: “Projekti, faza e parë e të cilit fillon me buxhetin e këtij viti dhe shtrihet gjatë 2019, organizon shërbimin e kirurgjisë, sallat e reja të kirurgjisë, shërbimin e urgjencës, si dhe sjell brenda korpusit të spitalit, shërbimin e maternitetit, obstetri-gjinekologjisë. Jo vetëm që rinovohet gjithë spitali rajonal i Kukësit, shtohen shërbime të reja, por përmirësohet radikalisht cilësia e shërbimeve në disa shërbime shumë të rëndësishme, siç është kirurgjia. Duke qënë se ka filluar edhe projekti i shërbimit të integruar të instrumenteve kirurgjikalë, që tani ka filluar të ndihet cilësia e shërbimit të përmirësuar. Ky projekt, faza e parë të e të cilit është një buxhet prej 169 milionë lekë të buxhetit të shtetit fillon këtë vit.”
Kryeministri Edi Rama premtoi më shumë mbështetje për spitalin e Kukësit dhe në tërësi për sistemin shëndetësor.
Edi Rama, kryeministër: “Ne do të bëjmë një rritje tjetër të pagave për mjekët dhe infermierët. Në kategoritë që rriten pagat është kategoria që ka rritjen më të lartë. Unë nuk jam si ata që mendojnë se po ishe mjek apo infermier je “djalli” vet që të fut dorën në xhep. Për fat të keq ka dhe nga ata që e dëmtojnë shumë reputacionin, por shumica punojnë në kushte jo shumë të lehta dhe realisht janë heronj, për mendimin tim. Kështu që shumë respekt për ju.”
Këtë vit në spitalet rajonale sipas ministres së Shëndetësisë jane investuar 4.5 milionë euro./abcnews.al