Kërcënohet me jetë kryeprokurori në Maqedoninë e Veriut, letrat nga organizata terroriste

schedule17:33 - 27 Janar, 2022

schedule 17:33 - 27 Janar, 2022

Në Maqedoninë e Veriut, kryeprokurori publik Lubomir Jovevski ka marrë një letër kërcënuese për jetën e tij.

Letra e dërguar me postë nga qyteti i Manstirit ishte e shkruar në dy gjuhë, maqedonisht dhe anglisht, njëri version me kompjuter dhe tjetri me shkrim dore. Në letër zotit Jovevski i kërkohej që të liroheshin nga akuza dy gazetarë maqedonas, “të cilët janë të pafajshëm, përndryshe do të të vrasim shumë shpejtë”, thuhej në letër.

Letra kishte arritur tek prokurori të mërkurën. Prokuroria publike përmes një komunikate bëri të ditur të enjten se rasti, për të cilin shkruhej në letër, është hequr në muajin dhjetor, 2021 nga procedurat për shkak se nuk ishte gjetur motiv për t’u gjykuar.

Ndërkohë, autori anonim kërkonte lirimin nga akuza të gazetarëve Goran Momirovski dhe Dragan Millosavleviç të televizionit Alfa, që cilësoheshin si “gazetarët më eminentë që kanë mbështetje astronomike në të gjithë shtetin dhe që paraqesin zërin e popullit maqedonas”.

Autori ose autorët shkruanin se letra dërgohet nga një organizatë terroriste, “e cila do të luftojë dhe vrasë për padrejtësitë që bëhen”.

Ishte Agjencia për Zbulim dhe Kundërzulim ajo që kishte ngritur akuza kundër gazetarëve Momirovski dhe Millosavleviç në lidhje me pretendime për nxjerrjen në emisionin e tyre televiziv të informatave konfidenciale që kanë të bëjnë me struktura të sigurisë dhe të zbulimit. Gazetarët ishin ftuar në muajin nëntor për të dhënë sqarime.

Njëri nga gazetarët i ka thënë medias lokale se nuk kishte asnjë lidhje me autorët e kërcënimit, teksa e dënonte aktin dhe u bënte thirrje organeve hetuese që ta zbardhin sa më shpejtë rastin.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut i vlerëson si të kota këto kërcënime dhe se ato “nuk do ta gjunjëzojnë atë nga qëllimet për zbatimin e ligjeve dhe nga veprimi profesional e i përgjegjshëm i Prokurorisë Publike”.

Prokuroria njofton se letra do t’i dërgohet autoriteteve të rendit për hetime të mëtejshme mbi përmbajtjen e saj dhe për personin që e ka shkruar atë.

Kërcënimet e këtilla ndaj zyrtarëve të lartë të institucioneve shtetërore e publike janë të rralla, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nuk mbahet mend të jetë kryer ndonjë akt terrorist për qëllime të këtilla, përjashto rastin e pasqaruar me presidentin e parë të këtij vendi, i cili i mbijetoi një atentati në vitin 1995.

Vendi po përpiqet të realizojë reforma në fushën e gjyqësorit për t’iu përshtatur kërkesave dhe standardeve të Bashkimit Evropian ku synon integrimin, megjithatë besueshmëria tek gjyqësori mbetet e ulët./VOA