Kërcënimet e Beogradit/ Eksperti: Pse Vuçiç nuk mund të futet me ushtri në Kosovë

schedule16:45 - 26 Maj, 2023

schedule 16:45 - 26 Maj, 2023

KOSOVË- Policia e Kosovës përdori sot gaz lotsjellës dhe bomba Molotov për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan-komunë me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit. Aty u shënuan përplasje, ndërsa pesë policë të Kosovës janë lënduar dhe disa makina të tyre u dogjën.

Zhvillimet në veri të Kosovës janë kthyer në kryetemë të mediave shqiptare, atyre serbe dhe më gjerë. Drejtori për Marrëdhënie Ndëretnike, Fatmir Sheholli, u shpreh për “Balkan Update” në ABC News se situata në veri nuk është normale dhe në këto kushte, duhet gjetur sa më parë një zgjidhje politike. Ai përgëzoi punën e kryer nga Policia e Kosovës, që sipas Shehollit ka bërë një menaxhim të duhur të situatës në veri, pavarësisht provokimeve dhe tensioneve të shkaktuara.

“Nga aspekti juridik dhe institucional është mirë që kryetarët të futen në komunë, por çfarë do bëjnë ditën e nesërme , kemi situatë jonormale në veri të Kosovë dhe kjo situatë është e tillë për arsye se nuk ka legjitimitet nga zgjedhjet e fundit dhe kjo është pasojë e gjithë asaj. Duhet t’ua heqim kapelën njësive të specializuar  të Kosovës, të cilët në mënyrë profesionale e kanë kryer atë që kanë marrë  si detyrë duke mos lënduar askënd. Kemi pesë policë të lënduar të Kosovës dhe kemi edhe automjete të Policisë të cilat janë djegur”, theksoi ai.

Ai tha se aktualisht situata është e qetë në pjesën veriore, por shtoi se gjatë natës duhet pasur shumë kujdes. Sipas Shehollit, nëse nuk do ketë reagim të shpejtë nga SHBA dhe BE-ja, situatë në veri mund të përshkallëzohet më tej.

“Na thonë se gjendja është e stabilizuar në këto momente, por duhet të kemi parasysh natën, terrin dhe kthimin e atyre serbëve që sot kanë shkuar të Vucic dhe si do ta menaxhojmë këtë që ndodhi. Ne në ditë në vazhdim mund të kemi probleme serioze, por besoj se shumë që sot do kemi reagim të BE dhe SHBA dhe bisedat me Kurtin dhe Vuçiç që çështja të stabilizohet. Nuk është asgjë spektakolare hyrja e kryetarëve në Zubin Potok dhe Zveçan, por administrimi me qytetarët do jetë e pamundur, sepse popullata serbe nuk e pranon udhëheqjen lokale”, theksoi ai.

Sheholli pati dhe një apel të fortë drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i kërkoi të jetë një urë ndërlidhëse dhe të kontribuojë për normalizimin e situatës.

“Policia është shumë e rrezikuar, sepse në mes të ditës, sot i hidhet molotov dhe hidhen gurë dhe janë disa dhjetëra vetura që janë thyer. Na duhet zgjidhje politike. Ne po hyjmë në një rreth të rrezikshëm dhe duke pasur këtë situatës, i bëj ftesë z. Edi Rama që të jetë një urë lidhëse e të gjitha këtyre përpjekjeve të normalizimit të marrëdhënieve, sepse jeta e një njeriu vlen më shumë se çdo gjë tjetër”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, siç shkruajnë mediat në Beograd, ka urdhëruar sot kalimin e ushtrisë në gatishmëri dhe lëvizjen e saj në drejtim të kufirit me Kosovën. Përkundër kësaj taktike, Sheholli  shprehet se Vuçiç nuk mundet të futet me ushtri në Kosovë, pasi aty është prezenca e KFOR dhe NATO-s dhe për pasojë këto lëvizja tha ai bëhen për konsum të brendshëm në Beograd dhe për të dërguar një mesazh mbështetjeje për serbët, që jetojnë në veri të Kosovës.

“E kuptojmë këta për konsum të brendshëm në Serbi mund t’i bëjnë këto çështje, sepse është e pamundur që Vuçiç të hyjë me ushtri në veri të Kosovës, teksa këtu është KFOR dhe NATO. Kjo nuk do të ndodhë, duhet të flemë të qetë. Ajo që mua më brengos është hyrja e bandave kriminale, të cilët mund të hyjnë përmes rrugëve ilegale në veri dhe mund të sjellin probleme të natyrave të tjera”, tha ai./n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!