Kërcënohet Suad Lici. Administratorit të Vllaznisë, për arsye të pazbuluara, i është vendosur tritol në makinën e tij personale. Nuk dihet nëse e gjithë kjo lidhet me klubin, apo me bizneset që zotëron.
Lici ka njoftuar policinë, që ka gjetur eksplozivin e pashpërthyer. Një mesazh për ish-futbollistin, ndërkohë që tashmë mbetet të shihet se kush janë autorët e kësaj vepre. Policia po heton për zbardhjen e ngjarjes.
“Që të jemi të saktë, nuk bëhet fjalë për shpërthim, por për vendosjen e një tritoli. Për fat të mirë nuk ka shpërthyer. Kur ai ka dalë për të shkuar tek automjeti, në oborrin e shtëpisë, e ka vënë re dhe ka njoftuar policinë. Nuk duhen rrethanat dhe shkaqet. Ajo që mësohet që të këtë deklaruar ai është se nuk ka konflikte me dikë.
Dyshimet lidhen me çështjen e punës te Vllaznia. Ai e ka pikasur vetë lëndën plasëse dhe ka njoftuar policinë. Ajo është ç’aktivizuar. Gjithçka ka ndodhur pranë stadiumit “Loro Boriçi”, pranë tregut Zdralë”, u shpreh gazetari i ABC News, Simon Shkreli, në një lidhje direkte nga Shkodra.
NJOFTIMI PARAPRAK i POLICISË – Më datë 16.02.2020, rreth orës 08:56, shtetasi S. L. 46 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër ka njoftuar Sallën e Drejtimit në DVP Shkodër, se poshtë mjetit të tij tip Benz, ka konstatuar një pako të mbështjellë me letër natriban ku dyshohet se mund të ketë lëndë plasëse. Në vend ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /abcnews.al