“Këpuca e Artë 2023”, Cristiano Ronaldo pranë titullit të shënuesit më të mirë

schedule13:36 - 27 Dhjetor, 2023

schedule 13:36 - 27 Dhjetor, 2023

E kemi thënë se kampionati ku po luan nuk është më i forti në botë.

Kjo padyshim e ndihmon portugezin, Cristiano Ronaldo në garën e golit me “yjet” në Evropë, si Kylian Mbappe, Harry Kane apo Erling Haaland. Gjithsesi, nivelet e “gjahtarit” 38-vjeçar sërish janë të jashtëzakonshme.

Cristiano Ronaldo është shumë pranë fitimit të “Këpucës së Artë” të vitit, pasi realizoi dy herë për Al-Nassr në Ligën Profesioniste Saudite.

Legjenda portugeze arriti në 53 rrjeta në 2023, duke qenë protagonist i madh. Ai la pas Kane e Mbappe, që kanë nga 52 gola, për ekipet e klubeve dhe kombëtaret.

Pas tyre është Erling Haaland me 50 rrjeta për Manchester City e Norvegjinë, që ende mund të pretendojë ta arrijë Ronaldo-n, nëse shënon tre gola në ndeshjen e kësaj të mërkure në fushën e Everton.

Gjithsesi, Cristiano ka edhe një sfidë në dispozicion, në 30 dhjetor në stadiumin e Al-Tawn.

Në sfidën e kësaj të marte, Al-Nassr fitoi 5-2 ndaj Al-Ittihad dhe mbajti gjallë shpresat për titull në Arabinë Saudite, ndonëse do të jetë e vështirë.

Al Hilal kryeson me 50 pikë ndaj 43 të ekipit të portugezit.

Ronaldo ka fituar 4 herë deri tani “Këpucën e Artë” si shënuesi më i mirë i një viti kalendarik, duke lënë pas rivalin e tij të madh Lionel Messi që ka dy, dhe polakun, Robert Lewandowski, gjithashtu me dy. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!