Deklarata e kryeministrit Rama për rritjen e bonusit të shpërblimit të lindjes së bebeve prej 1 janarit 2019, duket se do rizgjojë sërish dëshirën e shqiptarëve për të pasur një familje të madhe. Vetë qytetarët për mikrofonin e ABC News dhanë mendime të ndryshme lidhur me vendimin e kryeministrit Rama
Ulja e numrit të lindjeve në rang kombëtar dhe plakja e popullsisë duket se ka shtyrë kryeministrin Rama të marrë vendimin për të rritur disafish shpërblimin e bebeve që do të lindin pas 1 Janarit 2019 dhe në vijim. Shuma e shpërblimit do të variojë nga 40 mijë lekë të reja deri në 120 mijë lekë.
Një pjesë e qytetarëve shprehen për mikrofonin tonë se kjo është diçka pozitive dhe do të stimulojë rritjen e numrit të lindjeve, qytetarë të tjerë e shohin si diçka të vonuar, por dhe si një propagandë politike dhe që nuk ndikon në përmirësimin e jetës së familjeve shqiptare.
“Është gjë shumë e mirë është ndihmë për familjarët, sidomos për të gjithë fëmijët që kanë nevojë”, shprehet një qytetar.
“Ajo është simbolike, kaq. S’ka punë. Tirana njëherë është bërë…”, u shpreh një qytetare.
“Kjo është shumë e mirë se po shikohet që popullsia ka rënë. Ai ka bërë shumë mirë, por jo të japë vetëm njëherë sa lind, por muaj për muaj, që t’i rris fëmijët. Unë nuk bëj vetë, por djali e nipi im”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Pozitive më duket. Dy. I treti jam duke e pritur”, tregoi një qytetare.
“Ndikon diku, veç në rritjen e popullsisë më shumë”, tha një tjetër.
“Unë kam fëmijën e parë dhe nuk kam marrë akoma 50 mijë lekëshin e parë dhe nuk e di sa është e realizueshme”, tha një qytetare.
Prej disa vitesh kemi vënë re një tkurrje të numrit të lindjeve, plakje të popullsisë dhe mbi të gjitha është rritur numri i të rinjve të cilët preferojnë të braktisin vendin e tyre për një jetë më të mirë kryesisht në vendet e BE-së./abcnews.al