Komisioni Europian i rekomandon Këshillit Europian hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. Duke prezantuar këtë vendim të Komisionit, përfaqësuesja për politikë të jashtme Mogerini dhe eurokomisioneri Hahn, vlerësuan reformat e bëra së fundi në vendin tonë. Kryesisht komisioneri Hahn veçoi reformën në drejtësi dhe vetingun. Ai theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë kohë për vetëkënaqësi, pasi duhet të çojnë reformat përpara.
Zyrtarisht Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit pa kushte të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian.
“Komisioni rekomandon që Këshilli të vendosë që të hapen negociatat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë”.
Pasi dy vendet i bënë detyrat e tyre të shtëpisë është radha e Bashkimit Evropian të bëntë të vetat.
“Në qoftë se ata realizojnë ne duhet të realizojmë, tani i takon Këshillit të vlerësojë dokumentet tona”
Të gjitha këto nuk duhet të lexohen nga Shqipëria e Mqedonia si përfundim të punës së tyre tha shefja për politiken e jashtme në Bashkimin Evropian, përkundrazi.
“Kjo nuk është koha për të pranuar që çdo gjë ka përfunduar dhe të gjitha kutitë janë plotësuar, jo është koha për të vazhduar me vendosmëri në shtegun e reformave kurajoze”.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe Johanes Hahn. Nga njëra anë pranon progresin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe nga ana tjetër thotë se nuk ka kohë për vetëkënaqësi.
“Jam i kënaqur që Komisioni e pranoi rëndësinë e reformave që janë bërë nga Maqedonia dhe Shqipëria duke dhënë rekomandimin për hapjen e negociatave, dhe në të njëjtën kohë dhe çfarë duhet bërë për ta mbështetur këtë progres. Kur bëhet fjalë për Shqipërinë në fushat kryesore si 5 përparësitë, administrata publike, lufta kundër krimit e korrupsionit, reforma në gjyqësor e drejtësi dhe mbrojtjen e pakicave. Në drejtësi kemi parë rezultate të prekshme për gjyqtarë e prokurorë nga vettingu. Është fillimi, por është premtues dhe rekomandimi gjen zbatim. Është me rëndësi që të përmirësohet klima e biznesit e investimeve, dhe norma e lartë e papunësisë ësthë burim shqetësimi, sidomos i të rinjve. Siguria është një tjetër element”.
Rekomandimi për Shqipërinë është kundërshtuar nga Franca dhe Gjermania. Gazetarja e “Financial Times”kërkoi të dinte se si do të bindet Këshilli Europian, në një kohë kur Shqipëria ka nivel të lartë korrupsioni dhe krimi të organizuar.
Mogherini: “Së pari nuk ka shtet të mëdha e të vogla anëtare, jemi 28, së dyti nuk i takon komisonit të bindë Këshillin, ne pranojmë që rekomandimet janë ndjekur, kemi rezultatet e para, më pas u takon të gjitha shteteve anëtare për të vlerësuar progresin dhe për të marrë vendimin”.
Hahn: “Kjo është një punë në vazhdim. Jemi këtu për t’i ndihmuar, për t’i dhënë onformacione, dhe për të mbështetur për marrjen e një opinioni përfundimtar për këtë çështje”
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë, zyrtarët e KE nuk u ndalën në pikat e forta e të dobëta të secilit vend, por prezantimii rekomandimeve të tyre kishte karakter të përgjithshëm për vendet e rajonit në process afrimi me BE. /abcnews.al