Pakënaqësia e vendeve të Gjirit me Iranin ka ardhur në rritje, teksa Teherani nuk i ka ndalur sulmet në rajon.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani tha se Irani e kishte “tradhtuar” Dohën duke sulmuar vendet e Gjirit dhe u bëri thirrje të gjitha palëve në luftë që ta ulin tensionin në konflikt.
Në një intervistë për Sky Newss, Al Thani hodhi poshtë ato që ai e përshkroi si “justifikime dhe pretekste” të Teheranit për sulmet.
“Është një ndjenjë e madhe tradhtie. Kjo është hera e dytë. të gjithë ne para kësaj lufte, dhe vazhdimisht kemi thënë dhe përsëritur se nuk do të marrim pjesë në asnjë sulm apo luftë kundër fqinjëve tanë. Ne po ndihmonim Iranin dhe Shtetet e Bashkuara në arritjen e zgjidhjeve diplomatike. Por ky gabim llogaritjeje nga iranianët për të sulmuar vendet e Gjirit ka shkatërruar gjithçka”, tha Al Thani.
Një valë dronësh dhe raketash iraniane kanë bombarduar vendet e Gjirit si hakmarrje për sulmet e nisura nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Katari është shënjestruar disa herë, teksa aty ndodhet edhe baza më e madhe amerikane në rajon, Al Udeid, e cila u godit edhe gjatë luftës 12 ditore në qershor të vitit të kaluar.
Ndërkohë në sulmet e para nën udhëheqjen e re, Irani lëshoi raketa ku dëshmohej besnikëria ndaj liderit të ri suprem, ku shkruhej: nën shërbimin tuaj Sayyid Mjataba.
Dy persona janë vrarë në Arabinë Saudite për shkak të sulmeve iraniane, ndërsa në Liban, më shumë se gjysmë milioni njerëz janë zhvendosur me forcë ndërsa forcat izraelite dhe Hezbollahu vazhdojnë të godasin njeri tjetrin.
Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe u përballë me një tjetër valë sulmesh iraniane, ndërsa goditje pati edhe në Bahrein.
Ndërkohë një ushtar i shtatë amerikan është vrarë gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme. Ushtari ndërroi jetë pas plagëve të marra në sulmet e para ndaj trupave amerikane në Arabinë Saudite.
Nuk ka një afat për fundin e konfliktit, por presidenti amerikan Donald Trump, tha se çdo vendim për t’i dhënë fund luftës do të merret bashkarisht me Izraelim.
Sipas disa mediave amerikane Donald Trump thuhet se po shqyrton mundësinë e vendosjes së forcave speciale në terren për të sekuestruar uraniumin e Iranit, i cili është pothuajse i përshtatshëm për bomba bërthamore.
Komentet e Trump për ndërhyrjen tokësore kanë qenë kontradiktore, teksa fillimisht e përjashtoi një mundësi të tillë, ndërsa së fundmi e ka lënë të hapur vendosjen e trupave ushtarake në Iran.


