Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pezulluar përkohësisht këtë të hënë dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e parlamentit, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjidhte një president brenda afatit kushtetues të 5 marsit.
Gjykata Kushtetuese e quajti vendimin ex officio dhe tha se do t’i ndalojë çdo veprim si Presidentes Osmani ashtu edhe Kuvendit, të paktën deri më 31 mars, afat i nevojshëm ky për shqyrtim të çështjes në themel.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 9 mars 2026, njëzëri vendos masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me Dekretin e 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deri në 31 mars”, thuhet në vendim.
Vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nënkupton se Presidentja Vjosa Osmani nuk mund të shpallë një datë zgjedhjesh të parakohshme, deri në përfundim të shqyrtimit të themel të padisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe shpalljes së një vendimi nga Kushtetuesja.
Në seancën parlamentare të 5 marsit, që ishte edhe afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, Partia Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit paraqiti në momentin e fundit një kandidat të dytë si alternativë përballë Konjufcës. Ndërsa në axhendë hynë edhe amendamentet kushtetuese që paraqiti Osmani për zgjedhjen e presidentit nga populli. Por mungesa e opozitës shkaktoi mosarritjen e kuorumit.
Të nesërmen, më 6 mars, Presidentja Vjosa Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajti menjëherë takime me përfaqësues të partive politike për caktimin e një date për zgjedhje të parakohshme parlamentare.


