Kanina një nga vendet më tërheqëse në Jug

schedule17:21 - 9 Korrik, 2018

schedule 17:21 - 9 Korrik, 2018

Kanina e Vlorës ka joshur shumë vizitorë e pushues. Përveç interesit për historinë dhe legjendat e atij vendi, kulinaria e cila bazohet e gjitha në ushqimin bio ka rritur më tepër interesin.

Njihet si treva e njerëzve të mëdhenj, e fiseve të shquara. Me histori 3 mijëvjeçare referohet si legjenda e trimërisë dhe e bukurisë. Është Kanina jo vetëm kala e histori.  Por edhe fshat me banorë të thjeshtë që presin e përcjellin mysafirë.

Violeta Aliraj nuk u largua asnjëherë nga Kanina.

“Në të gjithë rrethin e  Vlorës, Kanina është një nga fshtrat më të dëgjuar dhe të privilegjuar nga vetë natyra që ofron”.

Këtu e reja ndërthuret me të vjetrën. Në shumë ndërtesa, fasadat dhe portat e tyre janë me gurë të skalitur.

Selvija është pema mjaft e njohur dhe e përhapur në fshat.

Si një ballkon mbi Vlorë, me një pamje të mrekullueshme mbi qytet. Të huajt po tregojnë përherë e më tepër interes për këtë vend.

“Sivjet ka patur shumë turistë të huaj, anglezë, italianë, gjermanë që vijnë me autobusë të shoqëruar”.

Dhe Kanina nuk është vetëm histori. Vizitorët përveç kalasë, legjendave gjejnë këtu një vend prehje. Mes natyrës shijojnë gatime tradicionale.

“Më të preferuarit janë zogjtë”.

Vendasit besojnë se ky është një vend i bekuar. Dhe nëse nuk ke vizituar Kaninën nuk ke parë asgjë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!