Tërmeti i së shtunës ka lënë pasoja në disa nga banesat në kryeqytet. Kamera e ABC News pa nga afër disa nga banesat në “Don Bosko” të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme kryesisht në muret e tyre. Banorët treguan se nga frika kanë kaluar natën jashtë.
Këto janë pasojat e tërmetit në disa apartamente në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet. Kjo e moshuar tregon e traumatizuar edhe momentin kur ra tërmeti e cila ndodhej në shtëpi së bashku me djalin e saj 42-vjeçar invalid.
“Më ka ndihmuar komshia. Janë dëmtuar. Ra krejt suvaja. E kemi pastruar. Djali ka shumë frikë. Ka ndenjur mbrëmë tër natën jashtë. Jemi pa gjumë, tërë natën”.
Tek ky apartament dëmet janë edhe më të mëdha, ku pothuajse të gjithë muret kanë pësuar krisje dhe suvaja ka rënë mbi dysheme. E zonja e shtëpisë tregon momentin kur ra tërmeti dhe pjesët e suvasë i ranë mbi kokë.
“Sa kisha ardhur nga puna po rrija. Vetëm më ra një copë në kokë. Kur dola filluan të vjellat se më kapi paniku. Kemi ndenjur jashtë. S’kam ndenjur këtu fare”.
Instancat shtetërore sipas kësaj banoreje kanë bërë edhe evidentimin e mureve të çara.
“Erdhi policia ma pa gjendjen. Filmoi pak dhe më tha shko te njësia që të japësh detaje”.
Të pyetur nga ABC News banorët e zonës së “Don Boskos” në Tiranë shprehen se nga frika e lëkundjeve të tjera sizmike kanë kaluar gjithë natën jashtë në oborrin e pallatit./ABC News Albania 24/7