Avokati Ermal Yzeiraj ka deklaruar se mbajtja e klientëve në kafaz hekuri ose xhami ndikon në procesin gjyqësor, por problemi kryesor mbetet mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë me ta.
Sipas tij, kjo situatë detyron shpesh ndërprerjen e seancave për të mundësuar komunikim minimal me klientin, edhe në prezencë të policisë. Yzeiraj thekson se kjo praktikë ndikon në perceptimin e gjykatës, publikut dhe vetë të pandehurit, duke kërkuar rishikim të mënyrës së zhvillimit të seancave dhe masave ekstreme të sigurisë.
“Mbajtja e klientit në kafaz hekuri ose xhami ndikon, por nuk është e vetmja. Ajo që ndikon më së shumti gjatë procesit gjyqësor është mungesa e komunikimit; ti nuk e ke klientin në krah dhe në siguri komunikimi për procedime penale. Në të kundërt, ne duhet të ndërpresim procesin dhe të kërkojmë 5 apo 10 minuta për të komunikuar. Unë e kam ndërprerë procesin sepse kam qenë i detyruar; je edhe në prezencën e policit. Për këtë arsye duhet të komunikojmë ngushtësisht, kjo është pengesë minimale dhe simbolike. Ndikimi tjetër është perceptimi nga gjykata, nga publiku në sallë dhe klienti vetë. Caktimi i masës së sigurisë ekstreme është një pengesë e madhe; ti detyrohesh që një ditë në javë t’ia kushtosh klientit.”
Avokati Edmond Petraj ka kërkuar reformim të thellë të sallave gjyqësore dhe standardizim të kushteve, duke marrë si shembull praktikat e vendeve të tjera si Italia. Sipas tij, praktika e mbajtjes së të pandehurve në kafaze gjatë seancave gjyqësore dhe mungesa e mjeteve të komunikimit me avokatët krijojnë probleme serioze në procesin penal.
“Ne nuk kemi standarde dhe pjesa e kërkesës së shpejtuar. Kemi një diskriminim për formën dhe mënyrën, pa parë për çfarë akuzohet. Ka një pabarazi të armëve sa i takon organit të akuzës dhe mbrojtjes. Para përfaqësuesve, edhe pse kërkohet që i mbrojturi të jetë në tavolinë me ty dhe të mos shkojmë tek ai, komunikimi në kafaz nuk shkon.
Vetë institucionet duhet të organizojnë dhe të krijojnë mundësinë për një kompjuter. Në Itali lejohet. Ka ardhur koha për një reformim. Ka shumë defekte dhe duhen riparë, duhet bërë me standarde. Në GJKKO të gjitha sallat janë me kafaz dhe të gjitha seancat bëhen në kafazin e çelikut, por kjo duhet standardizuar.” / abcnews.al /


