Kadia: Shoqëria ka krizë të thellë kulturore

schedule21:46 - 28 Maj, 2019

schedule 21:46 - 28 Maj, 2019

Sipas ekspertit të ekonomisë, Besart Kadia, shoqëria në Shqipëri ka një krizë të thellë kulturore.

Gjatë emisionit “Provokacija” të Mustafa Nanos, pedagogu u shpreh se qytetarët vuajnë një mungesë besimi, e cila bën që të ndërtohet një konflikt i përhershëm dhe më pas sjell kriza të tjera.

Sipas tij, në vendin tonë ka krizë të thellë të simboleve dhe zakoneve. Si shembull, Kadia mori Ditën e Çlirimit dhe të rinjtë që duan të emgrojnë jashtë vendit.

“Këtu mënyra e botëkuptimit është aq e fortë saqë e bën të vështirë një dialog dhe ka një krizë të thellë kulturore si shoqëri. Nuk është më një krizë politike e mirëfilltë, por është një krizë kulturore e thellë. Do thoja elementët e përbashkët si zakonet, simbolet, sistemet e bashkëpunimit. Ne kemi shoqëri, e cila në formën e vlerave të përbashkëta, ne kemi minimalisht Ditën e Çlirimit konfuze. Është data 28 apo 29 Nëntor dita që duhet të festojmë? Në rast se opozita dhe qeveria shkojnë të dy në krahë të ndryshme kur është dita e përkujtimit të dëshmorëve, ne jemi sërish pa simbole të përbashkëta.

Në rast se të rinjtë thonë që 70% e tyre duan të largohen nga vendi, s’kanë besim te institucionet e vendit këtu jemi në një krizë të thellë të simboleve apo zakoneve të përbashkëta. Pra ne ndihemi aq shumë që s’mund t’i përkasim kësaj shoqërie saqë nuk mund të ndërtojmë asgjë. Pra as demokracinë nuk e ndërtojmë dot se nuk besojmë te ai në krah, por as ekonominë nuk e ndërtojmë dot se nuk besojmë te biznesmeni që na shet një produkt. Kemi mosbesim te ushqimet? Kemi mosbesim te partitë politike se themi janë të korruptuara të gjitha? Kemi ne mosbesim te mjekët se mendojmë që janë aty vetëm për të vjedhur. Kjo çështje mosbesimi bën që të ndërtohet një konflikt i përhershëm dhe nuk ka besim. Dhe mungesa e besimit sjell pastaj kriza të tjera politike, ekonomike sociale etj, me radhë”, tha Kadia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!