Jo vetëm në Tiranë, universitetet e rretheve protestojnë sërish

schedule14:20 - 13 Dhjetor, 2018

schedule 14:20 - 13 Dhjetor, 2018

Ka vazhduar protesta e studentëve në Korçë, Shkodër, Vlorë e Gjirokastër, Elbasan. Shumë nga studentët e këtyre universiteteve udhëtuan për në Tiranë dhe iu bashkangjiten protestës masive para parlamentit.

Korçë – Protesta e studentëve të Universitetit “Fan Noli’ në Korçë ishte madhështore. Atyre u janë bashkuar edhe tre shkolla të mesme. Një pjesë e protestuese që herët ishin nisur në Tiranë, kurse ky marshim u realizua nga pjesa tjetër e studentëve. Që në ditën e parë korçarët kanë treguar masivitet dhe kreativitet në tubim. Ata u kanë kërkuar banorëve dhe çdo qytetari t’u bashkohet si një mundësi për të mbrojtur të drejtat e të gjithëve.

Shkodër – Në Shkodër studentëve protestues iu janë bashkuar edhe nxënësit e Medresesë. Sikurse në protestat e tyre të mëparshme ata marshuan nëpër qytet dhe kërkuan ndihmën e banorëve. Një pjesë e tyre kishin udhëtuar që mbrëmjen e së mërkurës drejt Tiranës. Kurse rreth 100 studentë u nisën mëngjesin e kësaj të enjte në kryeqytet.

Vlorë – Në Vlorë studentët nuk mbajtën pankarta në duar, por bënë thirrje për studentëve që kishin frikë të bashkoheshin në protestë. Numri i tyre ka qenë më i ulët, por sipas pjesmarrësve reduktimi ka ndodhur për shkak të presioneve nga politika, por edhe nga pedagogët.

Gjirokastër – Studentët e Gjirokastrës dolën sërish në protestë dhe pse në numër më të vogël. Ata u grupuan para godinës së universitetit dhe kërkuan që edhe të tjerët të bashkohen me ta. Ndërkohë, Rektori Baktash Mema tha për ABC News se një ditë më parë studentët i kanë bërë disa kërkesa universitetit. Sipas Memës këto kërkesa do të merren parasysh dhe do të planifikohet një fond për ndërhyrjet në ngrohje, për bazën materiale, për tekstet shkollore dhe për bibliotekë.

“Qysh nga dita e djeshme ne po merremi me analizën dhe me vendimmarrjen e këtyre kërkesave”, u shpreh ai.

Berat – Në qytetin e Beratit ishin gjimnazistët ata që protestuan. Braktisur mësimin për t’u solidarizuar me studentët në të gjithë vendin. Nxënësit thanë se do të ishin më shumë në numër, por mësuesit kanë penguar.

“Nuk na lejojnë që të dalim as në pushim të gjatë dhe na gënjejnë duke thënë që janë orët e shkurtuara”, tha një nxënëse.

“Ne e ndjejmë vërtetë që të jemi pranë studentëve duke menduar që sot janë ata në këtë pozitë, nesër do jemi ne dhe familjet tona në po të njëjtën pozitë”, u shpreh një tjetër.

Ndërkohë në të gjitha shkollat në Berat orët e mësimit kanë qenë të reduktuara për shkak të motit të ftohtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!